E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boçi: Kritikat për procesin janë emocione të momentit

Deputeti Luçiano Boçi, njëkohësisht edhe kryetar i degës së PD-së së Elbasanit deklaroi dje në një prononcim për "Shqip" vlerësimet e tij për procesin e datës 14 dhjetor. Duke iu përgjigjur akuzave të ish-deputetit Aleksandër Biberaj, Boçi, në cilësinë edhe të anëtarit të Këshillit Kombëtar, sqaroi se procesi zgjedhor ishte korrekt dhe serioz. "Numërimi i votave duhet thënë se zgjati por për shkak të mënyrës se si ai u zhvillua. Çdo votues duhet të zgjidhte një listë të madhe emrash dhe rrjedhimisht kishte edhe vonesa gjatë votimit dhe numërimit", sqaroi Boçi. Deklaratat e Biberajt, Boçi preferoi t‘i cilësojë si emocione të momentit, të dikujt që ka mësuar se nuk është zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar. "Pra nga emocionet e momentit preferohet që e keqja të hidhet larg vetes", theksoi Boçi. Deputeti demokrat u shpreh se për numërimin e votave ishte zgjedhur një komision i veçantë, i cili ka qenë gjatë gjithë kohës i izoluar në selinë e Partisë Demokratike. Në vlerësimin e Boçit, komunikimi i kujtdo me komisionin e numërimit të votave ka qenë i pamundur. Deputeti insistoi se procesi ka qenë më se korrekt dhe nuk ka pasur asnjë problem, ndryshe nga sa pretendohet. Reagimet për procesin zgjedhor në të cilin u përfshi Partia Demokratike më 14 dhjetor erdhën pas polemikës së hapur nga ish-deputeti Aleksandër Biberaj, i cili kritikoi ashpër lidershipin, duke e akuzuar se ka përcaktuar fiktivisht listën e fituesve të Këshillit Kombëtar. Biberaj ishte në listën e atyre që nuk arritën të kalonin "sitën" e votimit. Së bashku me të nuk u zgjodhën anëtarë të Këshillit Kombëtar as emra të tjerë si: Agron Musaraj, Antoneta Malaj, Arben Xhiku, Astrit Bushati, Bardhyl Londo, Blerim Çela, Eris Hoxha, Sali Shehu, Pal Dajçi, Preç Zogaj, Omer Stringa etj. Ky i fundit deklaroi një ditë më parë për "Shqip" se "partia nuk më ka votuar për të qenë kësaj radhe në Këshillin e saj Kombëtar. Nisur nga kjo i uroj punë të mbarë dhe nuk dua të paragjykoj asnjë delegat apo proces". Sakaq, Mitro Çela, një tjetër i mbetur jashtë tha se "dështimin për mosmarrjen e votave për fitore e kërkoj fillimisht te vetja. Më pas, mendoj se PD-ja mund të kishte gjetur një mënyrë për t‘i vendosur emrat e themeluesve të saj në një zonë më të sigurt për fitore".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›