E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: “Sulmet e PD-së ndaj Presidentit janë antidemokratike”



Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, ka reaguar dje ndaj qëndrimit të PD-së kundrejt institucionit të Presidentit të Republikës, por edhe institucioneve të tjera të pavarura. Ish- zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës shprehet se qëndrimi i eksponentëve të ndryshëm të PD-së ndaj Topit është sulm i qartë politik që ka si synim nënshtrimin e institucionit të Presidentit, por edhe të institucioneve të tjera të pavarura. Biberaj thekson se lidershipi i PD-së ka krijuar një filozofi të qartë politike që lidhet me përpjekjen për të nënshtruar të gjitha institucionet e pavarura. Sipas Biberajt, sulmi ndaj këtyre institucioneve është tregues i degradimit të qeverisjes, i varfërisë dhe shterpësisë së saj dhe, pse jo, një strategji e tërheqjes së vëmendjes nga problemet e shumta që ka vendi dhe qytetarët shqiptarë.
Reagimi
“Sulmet e përsëritura të lidershipit të maxhorancës ndaj institucionit të Presidentit të Republikës janë sulme qartësisht politike dhe bëhen me qëllim gjunjëzimin, nënshtrimin e këtij institucioni tepër të rëndësishëm kushtetues, në mënyrë që ky institucion të mos kryejë detyrat dhe funksionet e veta kushtetuese”, - është shprehur Biberaj dje për mediat. Sipas ish-deputetit të PD-së, “kjo nuk përbën një rast të shkëputur apo të vetëm, por një filozofi politike të ngritur në sistem nga lidershipi i maxhorancës; një model politik tejet të deformuar dhe antidemokratik që synon nënshtrimin dhe kontrollin e plotë të institucioneve të pavarura kushtetuese nëpërmjet presioneve dhe sulmeve politike, metoda këto që nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë, parimet dhe vlerat e saj. Mentalitetet dhe modelet e nënshtrimit të institucioneve të pavarura kushtetuese nëpërmjet sulmeve ndaj tyre përbëjnë mentalitete dhe modele tepër të vjetruara politike dhe të tejkaluara tashmë, pa asnjë lloj perspektive dhe pa të ardhme. Sulmet ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, që përbëjnë tashmë tendenca të hapura dhe synime të qarta të lidershipit të maxhorancës aktuale, synojnë gjunjëzimin apo nënshtrimin e këtyre institucioneve duke dhunuar në mënyrë flagrante një ndër parimet bazë të demokracisë, si dhe duke goditur një ndër gurët e themelit dhe kolonat mbajtëse dhe mbrojtëse të demokracisë dhe të shtetit ligjor të së drejtës, që është ndarja e pushteteve dhe respektimi i kësaj ndarjeje”, - është shprehur ish-deputeti demokrat, aktualisht anëtar i Kryesisë Qendrore të PD-së. Sipas Biberajt, në themel të demokracisë, krahas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qëndron edhe ndarja dhe respektimi i pushteteve, dhe pikërisht cenimi i secilit prej këtyre gurëve të themelit përbën edhe cenim dhe rrezikim të demokracisë. Anëtari i Kryesisë së PD-së vazhdon më tej ta akuzojë lidershipin e partisë së tij. Sipas Biberajt, “këto sulme ndaj institucioneve janë tregues i degradimit të qeverisjes, i varfërisë dhe shterpësisë së saj, pse jo, edhe strategji e tërheqjes së vëmendjes nga problemet e shumta që ka vendi dhe qytetarët shqiptarë, probleme të cilat duhet t’i zgjidhë qeverisja, e cila në çdo vend demokratik votohet për të forcuar dhe respektuar institucionet e pavarura dhe kushtetuese, dhe jo për t’i sulmuar apo shkallmuar ato”. Duke folur në mënyrë nominale, Biberaj theksoi se sulmet ndaj Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, që ka qenë ish-nënkryetar i PD-së, ish-kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, si dhe një ndër përfaqësuesit më dinjitozë të së djathtës reale shqiptare, “përbëjnë një mungesë të theksuar morali dhe shkelje të rëndë të etikës, pasi z. Topi, si për ironi të fatit, po sulmohet nga ‘të vetët’, nga pjesëtarët e familjes së tij politike, strategji e qartë kjo dhe konstante e lidershipit të maxhorancës, që synon dobësimin, në mos eliminimin e së djathtës reale në Shqipëri”, - është shprehur Biberaj.

Bogdani i bën thirrje Ramës të deklarojë pasurinë e tij të vërtetë

Deputeti demokrat, Gerti Bogdani, në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje kreut të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, që t’u japë fund mashtrimeve se ai është i varfër dhe të bëjë publike pasurinë e tij të vërtetë, e cila, sipas deputetit demokrat, është e paimagjinueshme. Në një deklaratë për shtyp, Bogdani i drejton disa pyetje kreut të PS-së dhe kërkon përgjigje jo vetëm për pasurinë e tij, por edhe për pasurinë e partnerëve dhe bashkëjetuesve të tij, si dhe emrat e tyre. “Edvin Kristaq Rama, kryetari i Bashkisë së Partisë, i kthyer në një fabrikë mashtrimesh, shpifjesh, për arsye politike ka hyrë thellë në borxh me ligjin dhe me shqiptarët edhe me fshehjen e pasurisë së paimagjinueshme të tij. Ai u ka thënë shqiptarëve se është fukarai më i madh i vendit; ai ka gënjyer se nuk ka shtëpi, as adresë, as para, as pronë. Fshehja e pasurisë përbën një vepër të rëndë penale dhe e kthen zotin Rama në një të pandehur para ligjit dhe opinionit publik. Shqiptarët duan të dinë cila është kjo frikë e tmerrshme që ju detyron të fshihni pasurinë marramendëse tuajën? Pse nuk jep emrat e partnerëve bashkëjetues që ke pasur dhe ke? Pse zoti Rama nuk deklaron pasuritë e partnerëve të tij bashkëjetues? Cila është pjesa e pasurisë që ke dhe ke ndarë me këta partnerë me të cilët ke bashkëjetuar dhe bashkëjeton?” - përfundon deklarata e deputetit demokrat, Bogdani.

Bulku: “Rama po betonizon Tiranën për përfitime personale”

Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht deputete e qarkut të Tiranës, Rajmonda Bulku, ka akuzuar dje kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Sipas Bulkut, Rama po betonizon të gjithë hapësirat e gjelbra në kryeqytet, me qëllimin e vetëm që të ketë përfitime marramendëse personale. “Edvin Kristaq Rama ka projektuar betonizimin e së vetmes zonë të gjelbër që ende nuk është shkatërruar afër Liqenit të Tiranës. Për përfitime marramendëse personale që kanë kaluar dhe po kalojnë në xhepin e Edvin Ramës, ai ka përfshirë për të betonuar një sipërfaqe prej 130 mijë m2 në zonën më të bukur. Intensiteti i ndërtimeve që zoti Rama ka parashikuar, ndër më të lartat e imagjinueshme, është mostra e fundit prej betoni që Mister 20 përqindëshi ka ideuar. Nga këto ndërtime, mbi 90% i janë dhënë klanit të njerëzve më të afërt të kryetarit të Bashkisë”, - është shprehur Bulku duke iu referuar një hapësire pranë Liqenit Artificial, e cila është parashikuar si zonë për ndërtime. Ndërkaq, deputetët e PD-së kërkojnë që zona të mbetet hapësirë e gjelbër dhe të bëhet qendër relaksi për qytetarët e Tiranës. Në emër të deputetëve të qarkut të Tiranës, Bulku i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të gjejë mënyrat që të mos lejojë kreun e Bashkisë së Tiranës për ta kthyer këtë zonë në një masakër urbane. “Si deputete e Tiranës, me ndjenjën e thellë të përgjegjësisë për të parandaluar masakrën që Edvin Kristaq Rama ka projektuar pranë Liqenit të Tiranës, për miliona euro që ai fut në xhep, i kërkoj zotit kryeministër për të gjetur mënyrat për ta ndaluar këtë masakër urbane në kryeqytetin e vendit tim”, - është shprehur Bulku.

21 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›