Cana merr përkrahje në Stamboll
Edhe pse nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë aventurën në elitën e futbollit turk, nuk do të thotë që Lorik Cana nuk e ka përkrahjen e adhuruesve të gjigantit turk Galatasaray.
Madje mesfushorit kosovar të enjten i kanë dhënë një përkrahje të madhe edhe studentët kosovarë që studiojnë në Turqi. Të veshur me fanella të Galatasarayt dhe në duar me flamurin e shtetit të Kosovës, studentët kosovarë vizituan bashkatdhetarin - Canën - në qendrën stërvitore të klubit turk.
“Futbollisti i Galatasarayt Lorik Cana, është takuar me bashkatdhetarët e tij nga Kosova dhe është çmallur me ata, pasi këta të fundit e vizituan atë në qendrën stërvitore të klubit turk”, ka shkruar të enjten ueb faqja turke sporx.com
Sipas medieve turke, studentët nga Kosova, të cilët janë duke i vazhduar studimet në Turqi, i kanë dhuruar kosovarit një buqetë me lule verdh e kuq, duke i uruar shërim sa më të shpejtë nga një lëndim i gjurit.
Studentët kosovarë kanë biseduar gjatë dhe janë çmallur me Canën, i cili u dhuroi atyre një fanellë me numrin 19. “Cana është prekur nga vizita e tyre dhe u ka thënë se do ta vizitojë Kosovës sa më shpejt që është e mundur”, shkruajnë mediat ruke.
Lorik Cana gjatë kësaj vere nga skuadra angleze Sunderland u transferua te kampioni i shumëfishët turk. Reprezentuesi i Shqipërisë me klubin nga stadiumi Ali Sami Yen ka nënshkruar kontratë katërvjeçare.
Kuyt drejt Interit
Menaxheri i sulmuesit të Liverpoolit, Dirk Kuyt ka bërë të ditur se klienti i tij është duke shqyrtuar mundësinë e bashkimit me Rafael Benitezit në Inter.
Trajneri i ri i Nerazzurrëve, Benitez është adhurues i holandezit të palodhshëm dhe spekulohet se mund të paraqesë ofertë për transferimin e Kuytit në Giuseppe Meazza. Menaxheri i reprezentuesit holandez, Rob Jansen tha për Voetbal International: “Po, ka interesim konkret nga Inter, por Dirk ende nuk ka vendosur nëse do të largohet nga Liverpooli”.
Mendon për pension
Sulmuesi i Corinthiansit, Ronaldo ka bërë të ditur se është duke menduar për pensionim nga futbolli. Edhe pse aktualisht brenga e tij kryesore është rikthimi në formë të mirë fizike, 33 vjeçari thotë se ndihet i mërzitur, meqë është i vetëdijshëm se po i afrohet përfundimit të karrierës. Rreth pensionit ose vazhdimit do të vendosë në fund të sezonit.
Ai sot nuk është Ronaldo më i famshëm në botë, por ish numri 9 i Brazilit dhe golashënuesi më i mirë në histori të kampionateve botërore ka arritur dyfish më tepër se emnaku i tij nga Real Madridi.
Mungoi në fushë për 100 ditë për shkak të një lëndimi në ijë, 33 vjeçari përsëri ka shtuar peshë dhe ngriti dyshime se edhe sa do të jetë në gjendje të luajë pas shkëlqimit në dy dekadat e fundit.
Ronaldo ka filluar stërvitjet dhe synon të jetë i gatshëm për Corinthiansin në fund të muajit, por pranon se nuk mund t’u ikë mendimeve rreth pensionimit.
“Nuk ndiej dhimbje, por jam i mërzitur. Gjithë jetën time e kam kaluar në fushën e futbollit dhe tani karriera ime po vjen në përfundim. Planifikoj të bëj sakrificë të madhe në mënyrë që të përfundoj fuqishëm këtë vit. Varësisht se si do të shkojë ky sezon, do të marr vendim nëse do të pensionohem apo të vazhdoj”, tha Ronaldo për mediat braziliane të enjten.
Ronaldo ka edhe një vit kontratë me klubin nga Sao Paulo, ku luan së bashku me Roberto Carlosin, por ai ka filluar të mendojë për përfundimin e karrierës, edhe pse insiston se nuk do të njoftojë për këtë paraprakisht.
“Më duhet të humbi peshë, të gjej ritmin tim dhe të shpresoj se do të ndihem mirë. Por, një ditë do të paraqitem në një ndeshje në përfundim të së cilës do të them se kjo ishte e tëra”, shtoi ai.
Ronaldo ishte tri herë FIFA futbollisti më i mirë i vitit në botë gjatë karrierës së ndritur, kur ai luajti për Barcelonën, Real Madridin, të dy gjigantët milanezë (Inter dhe Milan), para rikthimit në Brazil.
Mbipesha ka paraqitur problem në periudhën e fundit, ndërsa lëndimet kanë ardhur si rezultat i saj. Presidenti i Corinthiansit, Andres Sanches, ka dhënë përkrahjen e tij të plotë për Ronaldon.
“Nëse ai do të kishte qenë 100 për qind i gatshëm, nuk do të kishte ardhur në Brazil. Ai nuk do të largohet. Do të jetë këtu edhe për 10-12 vite. Do të mbetet me ne, nëse jo duke luajtur, atëherë do të bëhet ambasador, drejtor ekzekutiv ose diçka tjetër. Ronaldo dhe Corinthians ishte një martesë e përkryer, andaj nuk do të ketë ndarje”, deklaroi Sanches.
Mourinho kërkon edhe një sulmues
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho është i interesuar për transferimin e një sulmuesi, kanë njoftuar të përditshmet sportive spanjolle AS dhe Marca të premten.
Reali shpenzoi rreth 80 milionë euro gjatë kësaj vere në blerjen e gjashtë futbollistëve: Ricardo Carvalho, Sami Khedira, Pedro Leon, Sergio Canales, Angel Di Maria dhe Mesut Oezil.
Si zakonisht, gjiganti madrilen ka shpenzuar më së tepërmi në Spanjë gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Të mërkurën, kur Oezil u prezantua si futbollist i ri i Realit, drejtori i përgjithshëm i klubit, Jorge Valdano kishte thënë se nuk do të ketë blerje të tjera gjatë kësaj vere, por, sipas AS dhe Marca, Mourinho kërkon edhe një sulmues, meqë aktualisht ka vetëm dy, Gonzalo Higuain dhe Karim Benzema.
Sipas AS, kandidatë janë Djibril Cisse nga Panathinaikos, Fabio Quagliarella nga Napoli, Emmanuel Adebayor nga Manchester City dhe Bafetimbi Gomis nga Lyon.
Ndërsa Marca ka përmendur emra të tjerë: Fernando Llorente (Athletic Bilbao), Didier Drogba (Chelsea), Romelu Lukaku (Anderlecht), Mario Gomez (Bayern Munich). Të dyja gazetat ishin të një mendimi se kush do të largohet nga Reali para përfundimit të muajit gusht: Mahamadou Diarra, Fernando Gago, Royston Drenthe dhe Rafael Van der Vaart.
Ozil: La Liga më e fortë se Bundesliga
Transferi i ri i Real Madridit, Mesut Ozil, ka deklaruar se La Liga spanjolle është shumë më e fortë se sa Bundesliga gjermane.
“Unë gjithnjë i shikoj ndeshjet e mëdha, ‘el Classico’-t, ndeshjet mes Realit dhe Valencias edhe pse nuk kam qenë në gjendje t’i shikoj shumë ndeshje sepse luaja në të njëjtën kohë. La Liga është një prej kampionateve më të forta në botë, për këtë jam i ngazëllyer që jam këtu”.
“Loja është më e fortë këtu sepse kampionati ka lojtarët më të mirë në botë si Ronaldo dhe Kaka”, u shpreh Ozil
FIFA publikon kandidaturat për ‘Topin e Artë”
FIFA ka publikuar në faqen e saj zyrtare (fifa.com) listën e lojtarëve pretendentë për fitimin e trofeut të “Topit të Artë” për sezonin që sapo u mbyll dhe tre favoritët kryesor janë Iniesta, Shnajder dhe Diego Forlan.
Tre emrat kryesorë për fitimin e trofeut të dhënë nga institucioni më i lartë i futbollit në botë kanë krijuar një diferencë të konsiderueshme me ndjekësit e tyre më të afërt dhe këtë favor ia jep preformanca e lartë e treguar prej tyre në botërorin afrikan.
Spanjolli Andres Iniesta shihet si favoriti kryesor pas shpalljes kampion bote me Spanjën, por edhe për sezonin e mirë që ka zhvilluar me Barcelonën, duke u shpallur si kampion i “La ligës”.
Direkt pas tij renditet fantazisti holandez i Interit, Uesli Shnajder, pasi ka arritur të fitojë tre trofe me zikaltrit deri tani për këtë sezon dhe është në garë dhe për tre të tjerë me klubin italian.
Një tjetër avantazh që ka mesfushori holandez është se ka arritur të mbërrijë deri në finalen e botërorit të fundit afrikan.
Menjëherë në vendin e tretë renditet uruguajani Diego Forlan, pas fitimit të trofeut të Ligës së Europës me ekipin spanjoll të Atletikos së Madridit.
Forlan shihet si kandidat i fortë edhe për 5 golat që shënoi në botëror me Uruguajin dhe për lojën e mirë që zhvilloi në Afrikën e Jugut, duke u renditur si ekipi i katërt më i mirë i planetit.
Për të zgjedhur fituesin e “Topit të Artë” për këtë edicion do të votojnë 624 personalitete të futbollit, 208 trajnerë, 208 kapitenë ekipesh kombëtare dhe 208 gazetarë.
Çmimi i “ Topit të Artë” edhe këtë vit do të jepet nga revista franceze “France Football” në bashkëpunim me FIFA-n.
21 Gusht 2010