Ekzekutuan të riun një javë pas sherrit, në pranga 4 kushërinjtë
SHKODËR - Ekzekutimi i 23-vjeçarit Elson Vukatana është bërë nga katër persona, fqinjë të viktimës. Kjo gjë është bërë e ditur dje nga Policia e Shkodrës, e cila ka arrestuar katër persona, kushërinj mes tyre. Katër të dyshuarit si vrasës u arrestuan në Lezhë, ku ndodheshin të fshehur që pas momentit që kishin kryer krimin. Dy vëllezërit e arrestuar Kola, si edhe dy kushërinjtë e tyre të parë e kryen në bashkëpunim vrasjen e të riut në lagjen “Perash”, për motive të dobëta. Operacioni policor është koduar me emrin “Perash”, për shkak se edhe viktima, edhe katër të dyshuarit si vrasës janë banorë të së njëjtës lagje. Viktima njihej prej kohësh me vrasësit duke qenë fqinjë për disa vite.
Ngjarja
Katër persona u vunë dje në pranga si autorë të dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit. Operacioni u kodua “Perash”, ndërsa në pranga ranë dy vëllezërit, Arben dhe Mikael Kola, përkatësisht 24 dhe 16 vjeç, si dhe dy kushërinjtë e tyre, Bledar Kola, 26 vjeç dhe Kamber Kola, 47 vjeç, që të gjithë lindur dhe banues në lagjen “Daniel Matlia”. Sipas hetimeve, katër të dyshuarit si autorë kanë qenë fqinjë me viktimën prej disa kohësh. Mësohet se përpara disa ditësh, viktima Elson Vukatana ka debatuar me njërin prej vëllezërve Kola. Më pas dy vëllezërit Kola kanë organizuar edhe vrasjen e tij. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur ora shënonte 13:45, në momentin që viktima Vukatana, banues në lagjen “Daniel Matlia” në Shkodrës, ndodhej në vendin e quajtur Qaf Hardhi në rrugën “Halit Bajraktari”, është qëlluar teksa hynte në hyrjen e pallatit ku ai banonte. Në momentin e ngjarjes zona ka qenë me kalimtarë, ndërsa viktima ka qenë i vetëm. I riu është dërguar menjëherë për në Spitalin e Shkodrës, por gjatë rrugës ai ka ndërruar jetë. Në trupin e 21-vjeçarit u gjetën gjashtë plumba. Sipas hetimeve, menjëherë pas ngjarjes katër të dyshuarit si autorë janë larguar me vrap, por vetëm brenda 24 orësh blutë kanë arritur të kryejnë identifikimin dhe më pas arrestimin e tyre.
Operacioni
Policia e Shkodrës tha se arrestimi i të dyshuarve është bërë i mundur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me forcat e FNSH-së Shkodër dhe Drejtorinë e Policisë së qarkut Lezhë. Gjatë kontrollit të baneses së tyre policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri automatike, model 56, 1 armë automatike MP model 54, 300 copë fishekë, 1 palë pranga si dhe një armë e ftohtë. Policia, pas kryerjes së veprimeve procedurale, materialet hetimore i kaloi për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Mbi katër të arrestuarit rëndojnë akuzat e “vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” si dhe “prodhim dhe mbajtje të armëve të ftohta”.
Të arrestuar
Arben Kola, 24 vjeç
Mikael Kola, 16 vjeç
Bledar Kola, 26 vjeç
Kamber Kola, 47 vjeç
Dështon atentati për vrasjen e pronarit të një interneti
ELBASAN - Krimi i vrasjes së pronarit të një qendre interneti në Elbasan është parandaluar mëngjesin e djeshëm nga policia e qytetit. Dy persona dyshohet se kanë tentuar të vrasin pronarin e një qendre interneti, ndërkohë që policia, e njoftuar për konfliktin, mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi autorët e krimit. Sipas burimeve zyrtare nga Policia, në vendin e ngjarjes është arrestuar Endri Gumi dhe në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tij, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Ata kanë pasur një konflikt me pronarin e qendrës së internetit dhe sipas policisë, mosmarrëveshja ka mbërritur deri te përdorimi i armëve të zjarrit. Ishte një sinjalizim i mbërritur në komisariatin e policisë për planin e ekzekutimit të biznesmenit (emri i të cilit nuk bëhet i ditur) ka angazhuar uniformat blu për të rrethuar zonën ku pritej të ndodhte krimi. Policia ka ndërhyrë në momentin kur 33-vjecari Endri Gupi ka qëlluar me armë në drejtim të pronarit të pikës së internetit, në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan. Edhe pse i arrestuari ka arritur të qëllojë, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Policia ka shoqëruar në komisariat dhe 10 persona të tjerë, si persona që kanë dijeni për ngjarjen.
Kanos pronarin e një firme, arrestohet 52-vjeçari
LEZHË - Një 52-vjeçar nga komuna Balldre e Lezhës është arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë nga policia e qytetit pasi ka kanosur dhe kërcënuar me jetë një drejtues firme. Policia e Lezhës njofton se i arrestuari është 52-vjeçari nga fshati Gocaj i komunës Balldre të Lezhës, Mark Çotaj. Sipas policisë, 52-vjeçari, në orët e paradites së dy ditëve në parë ka shkuar te firma e montimit të shtyllave të tensionit lartë “Elektro Net Albania”, duke penguar punën e punonjësve të kësaj firme dhe më tej duke kanosur dhe kërcënuar drejtuesin e saj, shtetasin me iniciale A. S. Sipas informacioneve nga Policia e Lezhës, ishte e disata herë që 52-vjeçari Çotaj pengonte dhe kanoste punonjësit e firmës “Elektro Net Albania”. 52-vjeçari ishte shoqëruar edhe herë të tjera në Komisariatin e Policisë së Lezhës për veprimet të kundërligjshme. Pas veprimeve të para hetimore materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, për veprat penale të “kanosjes dhe vetëgjyqësisë”, për të cilat akuzohet 52-vjeçarit Mark Çotaj.
Përplasen dy makina, vdes në rrugë 68-vjeçari
FIER - Një 68-vjeçar, banor i fshatit Topoje-Grykë të Fierit, është goditur për vdekje teksa ishte duke ecur me biçikletë në aksin rrugor Fier-Seman, në vendin e quajtur Grykë. Aksidenti ka qenë fatal. Fillimisht ai është goditur nga një mjet me targa të huaja. Pas përplasjes në tokë, një tjetër automjet që ka dashur të parakalojë mjetin që përplasi fillimisht viktimën, e ka marrë këtë të fundit zvarrë në një gjatësi më shumë së 40 metra, duke e lënë më pas në rrugë, e larguar me shpejtësi nga vendi e ngjarjes. Askush nuk e ka parë targën e mjetit të dytë, ndërsa drejtuesi i Volswagen-it, me targa gjermane, ka ndalur në vend duke u përpjekur t’i japë ndihmën e parë të moshuarit. Në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore, e cila ka kryer dhe transportin e trupit të pajetë për në morgun e qytetit, ndërsa ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit me targa te huaja dhe është vënë në kërkim të drejtuesit të mjetit të dytë, ende të paidentifikuar.
Emigranti lihet në burg, aksidentoi me vdekje një të ri
TIRANË - Aksidentoi për vdekje një 37-vjeçar, gjykata lë në burg emigrantin. Agim Vajka është lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve të tij. Përpara gjykatëses Elona Gjoka, i riu ka kërkuar një masë sigurie më të butë sesa ajo e akuzës, duke shprehur edhe pendim nga ana e tij. Prokurori i çështjes i ka bërë me dije gjykatës rrjedhën e ngjarjes. Sipas tij, tri ditë më parë, në Laprakë të Tiranës, i pandehuri ka qenë duke udhëtuar me një automjet me targa greke, kur viktima Fatos Reçi ka qenë duke kaluar në korsinë e autobusëve. Sipas akuzës, viktima është përplasur nga autovetura, ndërsa kalimtarët që ndodheshin në ato momente janë përpjekur që ta dërgojnë atë në Spitalin Ushtarak, ku ka humbur edhe jetën. Pas ngjarjes është bërë i mundur edhe arrestimi i Vajkës. Prokurori i kërkoi gjykatës që ndaj tij të caktohej masa e sigurisë “arrest me burg”. Gjykatësja e gatshme, Elona Gjoka, pasi dëgjoi të dyja palët, vendosi që të caktojë ndaj të pandehurit masën e kërkuar nga akuza. I riu akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “shkeljes së rregulla të qarkullimit rrugor”.
21 Gusht 2010