E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj letër OKB-së: Të hetohet gjenocidi serb në Kosovë

Biberaj i kërkon OKB-së që të hetojë gjenocidin serb në Kosovë. Gjithashtu ai ka mbështetur edhe idenë e heqjes së të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit 

KOSOVË - Zv. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj i ka kërkuar OKB-së që të hetojë gjenocidin serb në Kosovë.
Gjatë takimit me z. Francis Deng, Këshilltar Special për Çështjet e Gjenocidit dhe të Krimeve Masive, janë diskutuar rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si raste gjenocide.
Në fjalën e tij në takim, duke u përqendruar tek Ballkani, z. Biberaj është fokusuar tek masakra e Srebenicës, si një rast i pastër gjenocidi, si dhe tek gjenocidi dhe spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe. Z. Biberaj kërkoi gjithashtu që OKB të hetojë për genocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10.000 kosovarë, si dhe rezultojnë akoma edhe sot me mijëra të zhdukur.
Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së ka patur me z. Jorge Urbina, Kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB.
Në takimin me z. Urbina, bashkëbiseduesit kanë diskutuar kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj. Në takim u diskutua gjithashtu dhe rishikimi i së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj.
Nga ana e tij, zoti Biberaj ka mbështetur idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, si dhe atë të kufizimit të përdorimit të së drejtës së vetos, duke qenë më shumë në favor të heqjes së saj.

(O.Zh BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›