E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj, letër OKB-së: “Të hetohet gjenocidi serb në Kosovë”



Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, i ka kërkuar OKB-së që të hetojë gjenocidin serb në Kosovë. Gjatë takimit me z. Francis Deng, këshilltar special për Çështjet e Gjenocidit dhe të Krimeve Masive, janë diskutuar rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si raste gjenocide. Në fjalën e tij në takim, duke u përqendruar tek Ballkani, z. Biberaj është fokusuar te masakra e Srebenicës, si një rast i pastër gjenocidi, si dhe te gjenocidi dhe spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe. Z. Biberaj kërkoi gjithashtu që OKB-ja të hetojë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10 000 kosovarë, si dhe rezultojnë akoma edhe sot me mijëra të zhdukur. Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së pati me z. Jorge Urbina, kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB. Në takimin me z. Urbina, bashkëbiseduesit kanë diskutuar kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj. Në takim u diskutua gjithashtu dhe rishikimi i të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj.

Pacolli shprehet kundër privatizimeve të mëdha

Aleanca Kosova e Re është shprehur kundër privatizimeve të disa ndërmarrjeve të mëdha publike në Kosovë. Në debatin e organizuar dje në Prishtinë nga ky subjekt politik, kreu Behxhet Pacolli tha se “qeveria ende nuk ka platformë ligjore për të privatizuar ndërmarrjet e mëdha publike si KEK, Aeroporti dhe PTK-ja”. Për këtë arsye, Pacolli propozoi që procesi i privatizimeve të ndalet derisa qeveria të krijojë vizione të qarta për fatin e këtyre ndërmarrjeve. “Në rast të kundërt këto ndërmarrje të mëdha do të përjetojnë fatin e ndërmarrjeve shoqërore, të privatizuara deri tani”,- tha kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli.
Në debat morën pjesë ekspertë të ekonomisë, të institucioneve të Kosovës, të partive politike, shoqërisë civile dhe të institucioneve ndërkombëtare.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›