E Diel, 1 Nëntor 2026

“Chic Plus”, takim në Vizion Plus me protagonistët e artit dhe të kulturës



Ndërsa personazhi që ajo interpreton në operan “Lucia di Lamermor” është një vajzë e re, e dashuruar marrëzisht deri në çmenduri, në jetën private artistja është krejtësisht e kundërta. Oriana Kurteshi, sopranoja e njohur shqiptare me banim në Francë, rrëfen për emisionin “Chic +” jetën e saj në plan krejtësisht intim, larg dritave të skenës. Ndërsa personazhi i saj, Lucia, shkon deri në çmenduri për dashurinë, ajo thotë se pas një marrëdhënieje të gjatë, rreth 13 vjet, më në fund është vetë protagonistja e jetës së saj. Aktualisht sopranoja është singël, megjithatë kjo nuk e pengon që të ndihet e lumtur. Në këtë mënyrë ka më tepër liri për ta shijuar karrierën artistike gjithnjë në ngjitje, si dhe jetën në Francë, ku është vendosur prej disa kohësh. Ka blerë shtëpinë e saj në Strasburg, por në planet afatgjata mendon të zhvendoset në jug të Francës. Ndoshta në Nice do të ndërtojë një ditë shtëpinë e ëndrrave të saj. I pëlqen të udhëtojë, të shohë njerëz dhe kultura të ndryshme. Ajo rrëfen se këto kohë po zbulon Spanjën, një vend ku veç koncerteve dhe impenjimeve artistike, po dashurohet edhe me mënyrën e jetesës dhe karakterin e banorëve. Ndërsa ky rikthim në Operan e Tiranës, me një vepër të rëndësishme si soliste, ka për të një kuptim të veçantë. I mungonte këtij teatri prej kohësh dhe ëndërronte gjithmonë të kthehej aty për të realizuar diçka të veçantë. Ajo ka lënë pas vetes shumë kujtime në këtë teatër. Tregon se është larguar nga Shqipëria rreth 16 vite më parë, pas një audicioni me sopranon italiane Katia Riciarelli, e cila kishte ardhur në Operan shqiptare në kërkim të zërave të rinj. Mes talenteve që do të veçonte Katia, ishte dhe Oriana. Pas këtij momenti Oriana e dinte mirë rrugën e vështirë dhe rrezikun që po merrte duke lënë pas një karrierë të sigurt si soliste në TKOB dhe duke provuar të bëhej pjesë e skenave europiane të muzikës lirike. Dhe asgjë nuk ishte aspak e lehtë, por ajo, “sopranoja lirike soft” siç e quajnë sot në të gjitha biografitë e teatrove të mëdhenj, do të prekte dalëngadalë skenat më të rëndësishme europiane, e pastaj ato botërore. Që nga “La Scala” në Milano, në “Opèra du Rhin” të Strasburgut, “Teatro La Fenice” të Venecias, sopranoja shqiptare ka shkëlqyer me perfomancat e saj dhe numëron bashkëpunime të shumta me dirigjentë e këngëtarë nga më të shquarit e muzikës lirike. Por pavarësisht impenjimeve të shumta në çdo cep të botës, personazhi ynë gjen gjithmonë kohë për të ardhur në Tiranë, ku ka lënë familjen e saj, miqtë, shoqet, shokët.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›