E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: “Përparësia e administratës së re do të jetë ekonomia”



Presidenti i Amerikës, Barak Obama, është angazhuar për të përballuar krizën ekonomike me të marrë postin në janar. Në paraqitjen e parë zyrtare pas zgjedhjeve, ai tha se përparësia e tij kryesore ishte hartimi i një pakete stimuluese për ekonominë. Ai u angazhua për të krijuar vende pune dhe për të ndihmuar familjet e shtresës së mesme. “Nuk do të ndodhë shpejt dhe nuk do të jetë e lehtë që ne të dalim nga kjo gropë ku ndodhemi”, - tha ai. Por z. Obama shtoi se Amerika ishte një vend i fuqishëm. “E di se do të kemi sukses nëse lëmë mënjanë përkatësitë partiake dhe politikën për të punuar së bashku”. Konferenca për shtyp në Çikago ishte e para që nga koha kur z. Obama mundi bindshëm të martën në zgjedhjet presidenciale kandidatin republikan, Xhon Mekein, për t’u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës. Demokrati 47-vjeçar, që e merr postin më 20 janar, u tregua i kujdesshëm për të mos prekur administratën në largim të presidentit Bush dhe tha se “Amerika kishte vetëm një president”. Ai premtoi inicimin e një plani shpëtimi për të ofruar lehtësim taksash për ata që mezi paguajnë faturat. Ai tha se paketa stimuluese duhej miratuar para ose menjëherë pas përurimit të tij. Z. Obama nuk bëri emërime të reja të personelit të tij, por përmendi thirrjet që i janë bërë për të emëruar shpejt sekretarin e ri të Thesarit. Ai theksoi se e rëndësishme ishte që të bëhej emërimi i duhur. Tre janë kandidaturat që thuhet se po shqyrton Obama: Lerri Samërs, Paul Volker dhe Timoti Geithner. Gjatë konferencës për shtyp z. Obama u pyet dhe për një letër përgëzimi për fitoren që kishte marrë nga presidenti iranian Mahmud Ahmedinexhad. Është hera e parë që nga viti 1979, revolucioni Islamik, që Irani i ofron përgëzime të tilla një presidenti amerikan pas fitores në zgjedhje. Z. Obama tha se do ta shqyrtonte letrën e z. Ahmedinexhad dhe di t’i përgjigjej si duhej. “Prodhimi i armëve bërthamore nga Irani mendoj se është e papranueshme”,- shtoi ai. “Mendoj se Irani duhet t’i japë fund mbështetjes së organizatave terroriste”.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›