Biberaj u bën thirrje qytetarëve të aplikojnë për kartat e identitetit
Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtari i Kryesisë së PDSH-së, Aleksandër Biberaj, u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk janë të pajisur me pasaporta, të aplikojnë për kartat e identitetit. “Ky dokument themelor ju shërben jo vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe për aktivitetet dhe marrëdhëniet e tyre të përditshme me agjencitë e ndryshme shtetërore apo private, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Bashkitë dhe komunat duhet të angazhohen maksimalisht për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe këtu opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, pasi drejton shumicën e bashkive kryesore, të cilat kanë edhe popullsinë më të madhe”, - tha Biberaj. Ai theksoi nevojën për më tepër bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive maksimale lidhur me përgatitjet e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, si zgjedhje shumë të rëndësishme këto për ecurinë e mëtejshme të reformave dhe të ardhmen integruese të vendit.
Duke vlerësuar hapat dhe lehtësitë e ndërmarra nga qeveria për kategori dhe shtresa të ndryshme shoqërore, Biberaj gjykon se “mund të gjenden dhe të shfrytëzohen edhe hapësira të tjera, në mënyrë që procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti të përfundojë para datës 28 qershor, gjë që do të krijonte kushtet që çdo qytetar të marrë pjesë në votime. Natyrisht, që çdo zgjidhje ekonomike ka një kosto të caktuar, por kjo kosto ekonomike në çdo rast do të ishte më e vogël sesa kostoja politike që mund t’i sjellë vendit një proces zgjedhor i kontestuar”.
22 Prill 2009