E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Partitë ti japin fund kakofonisë për kartat e identitetit”

“Të aktivizohet komisioni Ad-hoc, të zgjidhet çështja e kartave”. “Në politikë ka bërryla. Ruhuni prej tyre. Mbani personalitetin tuaj”

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka bërë thirrje dje partive politike t’i japin fund debatit për kartat e identitetit. Gjatë një takimi me studentë në Shkollës Politike, të financuar nga Këshilli i Europës, Topi ka gjetur rastin të flasë gjatë për zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato vendimtare për proceset integruese të vendit si dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë tranzicionit të tejzgjatur në Shqipëri.
Gjatë fjalës së mbajtur para studentëve, Topi e ka cilësuar debatin politik për letërnjoftimet një kakofoni që kanë krijuar partitë, të cilat po krijojnë një kaos dhe në psikologjinë e qytetarëve. Sipas tij, partitë kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta zgjidhur këtë problem dhe të mos e linin dy muaj para zgjedhjeve. “Tani është koha që qytetarët të njihen me programet politike”, - është shprehur Topi, ndërsa ka përsëritur dhe njëherë thirrjen e tij për qytetarët që të aplikojnë për të marrë kartën e identitetit.
Thirrja
“Debati është një hap mjaft i gabuar i politikës shqiptare, e cila ka pasur kohën e mjaftueshme të merret me këtë problem dhe të mos e kthejë në fokus pikërisht dy muaj përpara zgjedhjeve çështjen e letërnjoftimeve, që mund të kthehet dhe në një kaos psikologjik për qytetarët. Sot do të ishte koha që partitë politike të përballnin të gjitha projektet e tyre, vizionet e tyre. Ajo që do qytetari më shumë sot është pikërisht të dëgjojë se cilat do të jenë programet. Sot krijohet një lloj kakofonie, e cila uroj që të zgjidhet sa më shpejt. Partitë duhet t’i largohen këtij debati dhe duhet të gjejnë zgjidhjen”, - është shprehur Topi. Sipas tij, duhet gjetur vullneti politik për të dalë nga kjo situatë, pasi partitë edhe herë të tjera kanë gjetur zgjidhjen e problemeve brenda një nate. “Politika ka dhënë shembull që kur ka dashur për të marrë vendime shumë të rëndësishme, i ka marrë brenda një nate”, - është shprehur Topi, i cili i ka cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit provën më të madhe të Shqipërisë. “Gjëja më e rëndësishme është që Shqipëria, më datë 28 qershor, të japë provën e madhe, të bëjë zgjedhje të lira, të ndershme, korrekte dhe zgjedhje që nuk do të kontestohen. Simptoma të kontestimit paraprak tregojnë që ka paragjykim dhe paragjykimi nuk shkon më në Shqipëri, sepse Shqipëria tashmë është vend i NATO-s”, - është shprehur Topi.
Ai u ka bërë thirrje politikanëve që të aktivizojnë komisionin Ad-hoc për zgjedhjet dhe të arrijnë të gjejnë gjuhën e kompromisit. “Është ngritur dhe komisioni i posaçëm, kështu që mendoj se ky komision duhet patjetër të aktivizohet që t’i japë një zgjidhje decizive këtij procesi”, - është shprehur Topi.
Këshillat
Gjatë fjalës së tij drejtuar studentëve, presidenti Topi ka bërë një analizë të politikës në Shqipëri, sfidave me të cilat përballen politikanët e rinj dhe roli që ato duhet të luajnë. Sipas tij, në politikë ka gjithmonë bërryla, që duhet të përballohen me një përgatitje të fortë intelektuale. “Pa dyshim që ju do të keni shumë bërryla në karrierën tuaj, sepse bërrylat asnjëherë nuk do t’i paralelizoja me kompeticionin, por ky është terreni kudo, ka kompeticion, natyrisht ka dhe bërryla. Duhet të jeni të përgatitur fort për sfida që vërtet unë jam i bindur që ju do të dini t’i përballoni”, - është shprehur presidenti. Ai ka vënë theksin se në politikë është e rëndësishme të krijosh një individualitet origjinal, dhe jo ashtu sikurse ndodh rëndom, të bëhesh kopjo e liderit. “Duhet të jeni vetvetja, sepse kjo është garancia maksimale që mund të ketë një politikan i ri në karrierën e tij. Ka raste të dhimbshme nga eksperienca në politikë, kur njerëzit dalin jashtë karakterit të tyre, dalin jashtë natyrshmërisë së tyre, mundohen të bëjnë veprime të sforcuara, disa prej tyre dhe klonohen, nuk kanë fytyrën e tyre, marrin fytyrën e liderit, sjelljen e tij, gjestet dhe natyrisht nuk kanë jetëgjatësi”, - është shprehur Topi. Duke iu kthyer zhvillimeve në Shqipëri, presidenti Topi e cilësoi anëtarësimin në NATO fundin e një tranzicioni të gjatë politik. Sipas tij, sfida e ardhshme e Shqipërisë është integrimi në BE dhe garantimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›