E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bibliografia mbi Ndre Mjedën

28-06-2012 / Nga Kastriot Marku

Në fushën e bibliografisë, nuk janë të shumtë autorët e letërsisë shqiptare për të cilët është hartuar bibliografi e veçantë. Deri më tani veçohen bibliografitë për Gjergj Fishtën,  Lasgush Poradecin,  Petro Markon, Dritëro Agollin, Ndre Mjedjën e ndonjë tjetër. 
Bibliografia mbi Mjedën hartuar nga Mentor Quku, paraprihet nga një hyrje paraprake me titullin: “Bibliografi komentuese e studimeve mbi Ndre Mjedën”, f. 9-13, hartuar nga Begzad Baliu, vijohet me listën e shkurtimeve f. 15-17, dhe më pas një hyrje paraprake e pjesës së parë me titullin: “Të tjerët pë Mjedën, monografi, studime, kumtesa, artikuj, krijime letrare, reçensione, kronika mbi Ndre Mjedën”, f. 19-21. Pjesa e parë e bibliografisë, të tjerët për Mjedën, f. 23-616, ka 964 njësi bibliografie (1-964). Pjesa e dytë;  Mentor Quku për Mjedën, ka 211 njësi bibliografie (965-1175), nga faqja 617 deri në faqen 722, në të cilën janë përfshirë 413 autorë. Në fund kemi çmime, vlerësime, f. 723-730, si dhe përmbajtjen në faqen 731.
Bibliografia e komentuar e shkrimeve për Mjedën, është një vepër e rëndësishme jo vetëm sa i takon autorit Ndre Mjeda, por edhe botimeve të këtij lloji veçanërisht për historinë e letërsisë shqiptare. Kjo bibliografi është në një farë mënyre dëshmi e horizontit të pritjes që ka pasur Mjeda përgjatë më shumë se një shekulli, qoftë si krijimtari letrare botuar më vete, apo në antologjitë e kohës dhe botimet didaktike shkollore etj. Bibliografia përmbledh vepra monografike, studimet, artikujt, kumtesat e mbajtuara në konferencat shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Mjedës, periudhës letrare apo historike së cilës i ka takuar të jetojë dhe realizojë veprimtarinë e tij Ndre Mjeda. Ajo përfshin të dhënat për studimet, artikujt, kumtesat, monografitë, esetë, krijimet letrare, reçensionet, ligjëratat, intervistat, skenarët, filmat, dokumentarët, kujtimet, punimet e diplomave, tezat e aspirantëve, doktoraturat kushtuar jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, ku trajtohen aspektet e studimit të jetës dhe veprës së tij, formimit shkollor e kulturor, veprimtarisë politike, shkencore, gjuhësore, fetare e sociale, reflektimet e personaliteteve të ndryshme, përkatësisht albanologëve të njohur, që e kanë pasur objekt studimi personalitetin apo veprën e këtij autori. Bibliografia për Ndre Mjedën e Mentor Qukut, nuk është bibliografi klasike sikurse e parakupton lexuesi apo studiuesi i specialitetit përkatës, pra vetëm me të dhëna të autorëve, titujve të botimeve monografike, përmbledhjeve, revistave ku janë botuar artikujt kushtuar Mjedës, por një bibliografi e komentuar e cila na sjell informacione më të detajuara. Duke qenë bibliografi përshkruese e për më tepër edhe e komentuar, ajo mëton të mbërrijë të tjera rezultate përgjithësuese për formatin e vlerësimit të veprës së Mjedës, duke ia lehtësuar dhe qartësuar më tej punën lexuesit dhe studiuesit specialist.
Ndër botimet e para që flasin mbi Ndre Mjedën, janë katalogët e përvitshëm të Provincës Venete (1881-1898), të cilët botoheshin në Shkodër. Më pas ai do të zërë vend në kronikat e katalogët e përvitshëm të shtypit shqiptar të kohës. Shkrimet e para për Ndre Mjedën po ashtu i gjejmë në fillim të shekullit XX, në organet “Albania”, La nazione Albanese” etj. Ndërsa libri i parë që flet gjërësisht për jetën dhe veprën e tij është “Albanien und die Albanesen” (Shqipëria dhe shqiptarët), Ëien, 1910, i Paul Sibertz. Biografi i parë që e trajtoi Mjedën si autor të veçantë ishte At Justin Rrota OFM në botimin “Letratyra shqype”, Shkodër, 1925. Vijnë më pas me radhë At Fulvio Cordignano SJ “Lingua Albanese”, (Gjuha shqipe), Milano, 1931, Gaetano Petrotta (“Populli, gjuha letërsia shqipe, 1931), Eqrem Çabej “Elementet të literaturës shqipe shqipe”, 1938), Henrik Lacaj, Jolanda Kodra, Dom Nikollë Mazrreku, Dom Nikollë Gazulli, Dom Ndre Zadeja, Filip Ndocaj, Dom Aleksandër Sirdani, At Gjergj Fishta, At Antonin Fishta, At Gjon Shllaku, At Viktor Volaj, At Mark Harapi, Gaspër Mërturi Jakova, Rajko Nahtigall, Holger Pedersen, Arshi Pipa, Qemal Draçini, Selman Riza, Sterio Spasse, Jakov Milaj, Ilo Milto Qafëzezi, Gjush Sheldija etj.
Vijnë më pas në këtë bibliografi punimet monografike të Mark Gurakuqit e Rinush Idrizi, sintezat monografike të Dhimitër Shuteriqit, Rexhep Qosjes dhe Sabri Hamiti, veprat e ndaluara e të kthyera në karton apo të pabotuara të studiuesve të përkushtuar të Mjedës hartuar nga Jup Kastrati dhe Ëilly Kamsi etj, të cilat edhe pse nuk patën ndikim real në studimet mjedologjike të shekullit XX, për shkak të këtij ekskomunikimi, prapëseprapë ato kanë gjithsesi vendin e tyre. Me jetën dhe veprën e Ndre Mjedës janë marrë personalitetet rëndësishme shkencore të shekullit XX sikurse Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Aleks Buda, Rexhep Qosja, Justin Rrota, Jolanda, Injac Zamputi, Kolë Ashta, Jup Kastrati, Mahir Domi, Tomor Osmani, Ismail Kadare, Vehbi Bala, Mark Gurakuqi, Llazar Siliqi, Andrea Varfi, Filip Ndocaj, Drago Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, Jorgo Bulo, Koço Bihiku, Razi Brahimi, Adriatik Kallulli, Isak Ahmeti, Milazim Krasniqi, Rinush Idrizi, Klara Kodra, Gjergj Zheji, Willy Kamsi, Palokë Daka, Enver Gjergjeku, Ernest Koliqi, Giusepe Gradilone, At Daniel Gjeçaj etj. Në vitet ’60 u dallua një katërshe studiuesish që u morën me pasion me figurën e Mjedës sikurse ishin: Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi, Mark Gurakuqi dhe Rexhep Qosja. Punimet e tyre patën meritën sepse i dhanë një shtysë të madhe studimeve, tre të parët duke hulumtuar jetën përmes kërkimeve dokumentare e arkivore, ndërsa Rexhep Qosja kryesisht u muar me veprën letrare të Mjedës. Ndër ta veçohet Mark Gurakuqi, pa dyshim njohësi më i mirë i Mjedës. Në vitin 1967, Jup Kastrati hartoi një bibliografi të Ndre Mjedës, me 28 faqe në të cilën përfshiheshin 79 njësi bibliografike të veprave të Ndre Mjedës, botuar deri në atë vit (1967), ndërsa në pjesën e dytë në bibliografinë mbi Ndre Mjedën u listuan 177 artikuj e studime mbi të. Periudha e fundit e studimeve për Mjedën përkon me shkrime të autorëve të ndryshëm si Kolec Çefa, Begzad Baliu, Gazmend Krasniqi, Vjollca Osja, Marjana Ymeri, Shaban Sinani, Tonin Çobani, Mehmet Elezi, Alfred Çapaliku, Stefan Çapaliku, Fatbardha Hoxha etj.
Parimi bazë mbi të cilin është mbështetur hartimi i bibliografisë ka qenë ai kronologjik, i cili është gërshetuar me parimin alfabetik. Kështu studimet e një autori është synuar të jenë të grupuara në një vend brenda zërit të autorit, duke ruajtur për secilin prej tyre renditjen kronologjike. Vihet re se në vendosjen e njësive bibliografike nuk ka unitet të vendosjes së tyre (autori, titulli i monografisë, përmbledhjes, i artikullit, organi i botimit, shtëpia botuese, viti i botimit, numri, vendi i botimit numri i faqeve), të dhëna të cilat nuk e cënojnë cilësinë e bibliografisë, por që më pak kujdes do të ishin ndrequr lehtësisht. Po ashtu do të ishte mirë që kjo bibliografi, për vetë rëndësinë që ka do të ishte shumë e dobishme në duar të përdoruesve sikur të ishte shoqëruar me disa tregues (indekse), si treguesi tipologjik i veprave ose treguesi tematik, treguesi i emrave të autorëve të punimeve e pse jo edhe treguesi i organeve të shtypit ku janë publikuar njësitë bibliografike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›