E Shtunë, 31 Tetor 2026

I hapet rruga ndërtimit të segmentit që lidh “Ali Demin” me “Bajram Currin”

28-06-2012 / Gazeta 55

Qeveria miraton vendimin për shpronësimin e pronarëve

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e ditës së mërkurë, në mbështetje të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private (tokë, truall dhe objekte), që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor bulevardi “Bajram Curri” deri në rrugën “Ali Demi”, faza e dytë.
Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 122 728 704.4 (njëqind e njëzet e dy milionë e shtatëqind e njëzet e tetë mijë e shtatëqind e katër pikë katër) lekësh do të përballohet nga Bashkia e Tiranës, prej fondit të miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Shpronësimi i këtyre pronarëve, që do të fillojë më 1 korrik 2012, do t’i hapë rrugë fazës së dytë të punimeve për lidhjen e rrugës “Ali Demi” me bulevardin “Bajram Curri” në vendin e quajtur Bërryli, duke lehtësuar trafikun e rënduar në këtë zonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›