E Diel, 1 Nëntor 2026

“Turizmi, sektori kryesor i punësimit - në sezon punësohen 170 mijë vetë”

28-06-2012 / Gazeta 55

Mbledhja e Qeverisë, Kryeministri Berisha: Ky, viti i bumit turistik – të gjitha masat për një sezon dinjitoz

Shefi i ekzekutivit kërkoi dje në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, marrjen e masave nga Ministria e Turizmit, e Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme, për garantimin e një sezoni turistik dinjitoz. Kryeministri Berisha kujtoi se turizmi ka edhe një rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen e qytetarëve nga mbarë bota, me vlerat, potencialet, me mikpritjen dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se ky sezon turistik do jetë më dinjitozi i viteve të fundit. Berisha kërkoi gatishmëri të lartë nga institucionet nga pastrimi i ambienteve e deri te garantimi i sigurisë së pushuesve.
Kreu i qeverisë theksoi se turizmi ka edhe një rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen e vendit nga mbarë bota. “Për Shqipërinë, turizmi është një degë kryesore e ekonomisë dhe natyrisht, ekonomia është dhe mbetet më e rëndësishmja për një vend e një komb të lirë. Për ne, shqiptarët, që ishim të shkëputur nga rajoni, kontinenti, por edhe planeti për gjysmë shekulli, turizmi ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe për imazhin e njohjen e qytetarëve nga mbarë bota me potencialet, vlerat, virtytet morale, mikpritjen e trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Të mos harrojmë se ne, jo për shkak të të tjerëve, por për shkakun tonë, ishim një vend i zhytur në terr të thellë e izolim. Sa më shumë të njihemi, aq më shumë e më shpejt do të mund të rritet vlerësimi ndaj nesh dhe për ne”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ky sezon veror duhet të jetë më i bukuri dhe më masivi në historinë e vendit. “Unë kam besim që të gjitha mundësitë ekzistojnë. Janë bërë investime kolosale për turizmin. Janë bërë investime në energji për zonat turistike të vendit. Por kërkon nga ne që gjithçka ta vëmë në funksion të një mikpritje të shkëlqyer të miliona vizitorëve që do të vijnë”, theksoi kryeministri.
Kreu i qeverisë ka kërkuar nga tre ministritë, e Turizmit, e Shëndetësisë dhe e Brendshme të marrin të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
“Ky sezon ka një fillim të fuqishëm. Ata që kanë pasur rastin të vizitojnë bregdetin e kanë gjetur më të mbushur se asnjëherë. Të tilla kanë qenë dhe kalimet në pikat kufitare. Si kurrë më parë ka një vërshim të vërtetë edhe drejt zonave malore. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që, Policia Rrugore, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike të përmbushin në kohë çdo detyrim për transportin më të sigurt të turistëve. Zoti ministër, ne zgjeruam e përmirësuam tunelin tek Uji i Ftohtë. E domosdoshme është të bllokohet qarkullimi i kamionëve në orët e lëvizjes masive. Kjo zonë nuk ka trafik të rëndë të mjeteve të rënda, por gjithsesi ka, ndaj duhet të vihet në funksion të turistëve, autobusëve dhe makinave të tjera, ndërsa kamionët të lëvizim pas orës dhjetë të mbrëmjes apo pas një orë të caktuar dhe të dihet që ajo trajektore nuk kalohet nga makinat e rënda transportuese, deri në këtë orë. Doganat të ofrojnë shërbimet më të mira në pikat e kalimit kufitar. Së bashku me Policinë Kufitare, Ministria e Brendshme të marrë masa për të garantuar në të gjitha skajet e vendit, rregullin dhe rendin më të sigurt. E domosdoshme të shqyrtohet një ripozicionim i postave të policisë. Po marr shembull zonën e Alpeve, ku dikur mbaheshin posta për të mbrojtur kufirin, tani duhet të kemi posta për të ndihmuar turistët, të kemi gjithashtu një ekip të vogël shëndetësor, si dhe njësi policie të pozicionohen në zonat që janë më shumë të populluara, të cilat do t’i përcaktoni vetë. Ministria e Shëndetësisë duhet që, krahas gatishmërisë së njësisë së helikopterëve, detyrimisht duhet të ketë ekipe të ndihmës së shpejtë edhe në skajet më të largëta, ku shkojnë turistë. Sigurisht që ka në Theth, në Valbonë, por duhen parë dhe zonat e tjera që janë larg Thethit e Valbonës. Duhet të bëjmë gjithçka për sigurinë e tyre, për ndihmën më të shpejtë të mundshme, në rast se qytetarët e vizitorët do të kenë nevojë. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme bashkë me pushtetin vendor duhet të garantojnë funksionimin e ekipeve të ndihmës së shpejtë, në çdo plazh”, tha ai.
Kryeministri Berisha foli për masat që duhet të marrë ministria e brendshme për sigurimin e rregullit dhe qetësisë në të gjithë vendin, si dhe shtoi se, ministria e shëndetësisë duhet të marrë masat për sigurimin e ndihmës së shpejtë.
“Ky sezon veror duhet të jetë sezoni më i bukur turistik e më masiv në historinë e vendit. Unë kam shumë besim se të gjitha mundësitë ekzistojnë. Janë bërë investime kolosale në infrastrukturën rrugore e ujore për turizmin, janë bërë investime të mëdha në energjetikë në zonat turistike të vendit, por nga ne kërkohet që gjithçka ta vëmë në funksion të një mikpritje të shkëlqyer, shërbimi shembullor të miliona vizitorëve që po vijnë e do të vijnë gjatë kësaj vere. Edhe një herë e theksoj se Ministria e Turizmit, bashkë me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë duhet të përkujdesen për një qëndrim të ri ndaj turizmit malor. E vërteta është se fluksi drejt Alpeve është më i madh se asnjëherë tjetër”, tha ai.
Duke iu referuar një statistike të huaj, kreu i qeverisë tha se turizmi shqiptar në sezon punëson rreth 170 mijë vetë në të gjithë vendin, dhe kjo sipas tij, përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv.
“Sipas një statistike të huaj, turizmi shqiptar punëson në sezon, rreth 170 mijë vetë, në të gjithë vendin. Ky punësim përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Në tërësi, këta janë të punësuar të përkohshëm, studentë, të rinj, të cilët me fitimet që nxjerrin nga puna e tyre lehtësojnë barrën e familjeve të tyre, për vitin e ardhshëm shkollor. Edhe Bashkitë dhe Komunat, duhet të punësojnë punëtorë të përkohshëm për pastrimin e territorit. Të bëjmë gjithçka që Shqipëria të paraqitet më e pastër se asnjëherë”, tha Kryeministri, duke drejtuar një thirrje publike për t’i dhënë përparësi punësimit të të rinjve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›