E Diel, 1 Nëntor 2026

Biblioteka ekspozon dhuratat nga Kosova

Në kuadrin e muajit kulturor Shqipëri-Kosovë, Biblioteka Kombëtare ekspozon një pjesë të librave që institucione dhe individë nga Kosova i kanë dhuruar gjatë viteve.
Janë rreth 100 titujt e ekspozuar në hollin e Ministrisë së Kulturë, pjesa më e madhe e të cilëve janë dhuruar nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës. Në këtë koleksion përfshihen libra shkencorë, historikë, letrarë, studime albanologjike, tekste mjekësore, libra shkollorë, etj.

Disa nga titujt e ekspozuar janë vepra të ish -presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Të tjera i përkasin studiuesve Sali Bashota "Kuteli", Sak Shema, "Letërsia shqiptare e shekullit të XX", Fadil Raka "Studime rreth shqipes standarde" etj. Mes titujve gjenden të ekspozuar disa nga 2310 librat që kosovari Ali Rexha i ka falur bibliotekës Kombëtare në vitin 2000. Pas bombardimit të shtëpisë së tij ato që kishin shpëtuar Rexha i vendosi në 30 kuti kartoni dhe i nisi në Shqipëri. "Disa prej atyre që shpëtuan pjesërisht po jua dërgoj duke shpresuar se Biblioteka juaj do të ketë interes për t'i pasur si fond", shkruan Rexha në fund të listës së gjatë me tituj që është ekspozuar bashkë me librat. Mes dhuratave të Rexhës gjendën tituj si "Cuca e maleve", "Kali i Trojës", "Kurani", "Çështje të letërsisë gojore" etj.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›