Uidhers: Shqipëria në NATO, është vetëm fillimi
Në konferencën për NATO-n, Ambasadori amerikan, kryeministri i vendit dhe kryetarja e grupit parlamentar e PS-se japin mesazhet dhe detyrat që dalin për Shqipërinë pas anëtarësimit në NATO
TIRANË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Amerikës rikonfirmojnë edhe një herë besimin e plotë se Shqipëria në prill do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Duket se tashmë është daravitur çdo dyshim se nisma e grupeve nacionaliste sllovene për të penguar anëtarësimin e Kroacisë në NATO nuk do të ketë asnjë ndikim për vendin tonë. Ka qenë përsëri ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers ai që i ka dhënë siguri se aspirata e hershme e shqiptarëve për tu bërë pjesë e kësaj familje të madhe politiko-ushtarake do të bëhet realitet gjatë samitit të prillit që pritet të mbahet në Strasburg dhe Keln.
I pranishëm në konferencën që po organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë me temë " Karta e Adriatikut - Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor", diplomati amerikan e ka konsideruar këtë samit si një moment historik për vendin tonë, por edhe për aleancën në vetvete, pasi sipas tij zgjerimi i saj edhe me Shqipërinë, nuk është gjë tjetër veçse një borxh që kjo organizatë i ka vendeve të Ballkanit perëndimor dhe atyre të Europës Lindore për vuajtjet që kanë hequr gjatë regjimeve komuniste.
"Në pothuaj pesë javë ne do të arrijmë një moment historik. Aleanca më e madhe politike dhe e sigurisë e kohëve moderne do të mirëpresë Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota. Ky do të jetë një nga ato momentet në të cilat historia shlyen vetveten", - tha Uidhers në fjalën e tij të rastit.
Megjithatë ai ka paralajmëruar klasën politike shqiptare se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë përfundimi i një rruge të mundimshme, pasi, sipas tij, të qenurit anëtare e një organizate të tillë rrit edhe më tej përgjegjësinë e një vendi për të realizuar reforma edhe më të mëdha për të bërë që shteti ligjor të mbizotërojë në çdo aspekt.
"Anëtarësimi në NATO do të shënojë një faqe të re në historinë e Ballkanit, por puna për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë nuk ka përfunduar.
Anëtarësimi në NATO është fillimi. Është një hap drejt arritjes së një pragu të pakthyeshëm përparimi demokratik që të gjithë e kërkojmë në botë.
Ne presim që Shqipëria dhe Kroacia të vazhdojnë të rritin ritmin e reformave të tyre demokratike, ekonomike dhe ushtarake, në mënyrë që të mund të japin kontributin më efektiv të mundshëm për këtë aleancë historike", - tha Uidhers, i cili e ka vlerësuar këtë moment edhe si një kurorëzim me sukses i nismës së SHBA-ve për Kartën e Adriatikut. Tryezën e ka përshëndetur edhe kryeministri Sali Berisha, i cili pasi i ka shprehur mirënjohje qeverisë së SHBA, dhe Presidentit amerikan që themeluan në Tiranë Kartën e Adriatikut, ka deklaruar se pjesë e saj shumë shpejt do të bëhet edhe Kosova.
Kryeministri gjatë fjalës së tij u ndal tek bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës për reformat integruese të Shqipërisë, duke vënë theksin tek mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në 28 Qershor. "Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që këto zgjedhje të jenë më të mirat që janë mbajtur në Shqipëri",- u shpreh Berisha.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në rolin e organizatores së këtij takimi ka theksuar se Shqipëria në NATO do të jetë një vlerë e shtuar.
Nga ana tjetër kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, duket se ka qenë në një mendje me ambasadorin Uidhers, pasi ka vlerësuar se anëtarësimi në NATO është një sfidë e përgjegjësi e madhe për vendin.
"Një parlament që punon me axhendë të minutës së fundit, pa një proces të hapur e përfshirës, nuk mund të prodhojë reforma cilësore. Vendi ka nevojë për ligje që i qëndrojnë kohës pavarësisht nga shumicat që janë në pushtet, ligje që nuk ndryshojnë sa herë ndryshojnë shumicat, ligje që nuk synojnë përdorimin e sistemit për interesa të çastit apo të përveçme.
Duhet bërë ndarje e qartë mes këtyre dy qasjeve, padyshim që kjo kërkon vullnet të forte", - u shpreh Leskaj. Në këtë takim, ka qenë si i ftuar special edhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s David Hobs, i cili ka vlerësuar si pozitive hapat që ka bërë Shqipëria drejt anëtarësimit në këtë aleancë.