E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kllogjeri: Në Opera nuk ka fryte

Këngëtari lirik Armaldo Kllogjeri rrëfen për jetën artistike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Interpretimin në TOB e sheh punë si gjithë të tjerat, ndërsa pret që menaxherë të huaj të shohin videot e tij ne You Tube dhe ti ofrojnë një kontratë. "Iki nëse më kërkojnë."


Tenori Armaldo Kllogjeri është një nga solistët e rinj të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ka vetëm dy vjet që punon në këtë vatër të muzikës klasike dhe në repertorin e tij ka role në opera të njohura si "Traviata", "Toska", "Rigoleto", etj.


Ndonëse këndon në këtë skenë nuk dëshiron të cilësohet solist i Operës. Për të gjithë ai dëshiron të jetë Armaldo, këngëtari lirik shqiptar. Punën në këtë institucion e sheh vetëm si mjet mbijetese dhe nuk preferon të cilësohet pjesë e tij.


Në vitin 2006 diplomohet për Kanto në Akademinë e Arteve në klasën e prof. Burhan Spahiut, por interpretimin në skenë e TOB-it e kishte nisur që në vitin e tretë, me operën e Dhora Lekës "Vjeshtë me stuhi". Po në kohën e studimeve këndon tek "Rigoleto". Pas studimeve futet në korin e TOB-it. Formimi i tij si këngëtar lirik nuk ka kaluar në rrugën e zakonshme. Në qytetin e Gramshit, Kllogjeri ka studiuar në shkollën e mesme të përgjithshme.


Dhe ja tani, skena shqiptare e operës nuk i del. Prej dy vjetësh, 25-vjeçari përpiqet të çajë vështirësitë e të qënit artist në këtë vend.

Armaldo, cili ka qenë roli yt i parë?

Ka qenë Rigoleto, në kohën kur kam qenë student. Pastaj kam interpretuar Petritin, në operën e Dhora Lekës "Vjeshtë me stuhi". Më vonë pastaj ka qenë "Toska", "Butterfly", "Traviata".

Cilin do të veçoje nga kompozitorët që ke interpretuar?
Ai që më pëlqen dhe më është përshtatur në të kënduar është Puçini. Vetë fakti që kam kënduar Puçinin tregon që më pëlqen vërtet. Ka shkruar me pasion, ka pasur një ndjenjë, një veçanti nga të tjerët. Mënyra se si ai ka shkruar për këngëtarin tregon se ai e ka ditur se si ka funksionuar këngëtari lirik, ka ditur si të ndërtojë frazat, ka ditur se si të ndërtojë kulminacionet. Për sa i përket operave, do të veçoja "Toskën".

Si e ndërton një karakter?
Fillimisht marr një dvd apo cd dhe e dëgjoj, kjo pa marrë partiturën në dorë. Duke marrë partiturën, duke e dëgjuar, duke e parë mënyrën se si është ndërtuar opera, shikoj sa dramaticitet ka, shkallën e vështirësisë. Roli kryesor është për soprano apo për tenor. Fillimisht studioj ariet, sepse ato janë më të rëndësishmet, pastaj duetet, tercetet, koralet.

Që nga momenti që e merr në dorë një rol dhe deri sa e ndërton sa kohë kalon?
Kjo varet nga aftësia që ka artisti për të studiuar. Unë kam studiuar edhe shumë shpejt edhe shumë ngadalë. Duhet të ketë edhe një motiv që të ndikojë që ti të studiosh edhe më shpejt për shembull. Pastaj janë dy procedura. Vërtet mund ta mësosh rolin por ai duhet edhe të piqet. Pastaj kjo varet edhe nga aftësia e teknikës që ke. Kur e mëson rolin shpejt, e imposton shpejt dhe e këndon shpejt. Por kur i bën gjërat shpejt duhet të kesh edhe një arsye. Sepse pa pasur një motiv nuk mund të punosh shpejt. Motivi është për shembull kur më ofrojnë 15 mijë euro dhe më thonë e ke gati për një muaj apo e ke gati për dy javë, ose për dhjetë ditë.

Po motivi që i zvarrit?
Motivi që i zvarrit? Shikon kalendarin e Operës dhe nëse shfaqja është në mars apo në prill e merr me ngadalë. I gjithë problemi ngelet se sa motiv ke ti për ta mësuar atë rol. Kjo është gjëja më kryesore.

Si përcaktohen rolet në Opera?
Në të vërtetë në një teatër si i yni kur bëhet një kalendar merret edhe mendimi i solistëve. Nuk është se vendos drejtori që do të bëhet kjo opera dhe ti do ta këndosh. Gjithmonë ka një konsultim. Nuk mund të më detyrojë drejtori të këndoj një rol që unë nuk e këndoj dot. Sepse shumë gjëra janë të ndara, zëri i këngëtarëve ka specifika të ndryshme. Është pak e vështirë për të vendosur një kalendar, të paktën me Operën që kemi ne sot. Sepse nuk është se kemi tre tenorë të parë, një tenor dramatik, një legero dhe një lirik që të kesh mundësinë të vësh çdo lloj opere në skenë. Normalisht që do të vëmë edhe opera që nuk janë për tenor të tillë, do vëmë dhe opera të tjera. Këtë pastaj e zgjedh një staf tjetër, e mendon drejtoria se si e bën. Unë e kam atë lloj të drejte që mund të zgjedh kë opera më shkon, i kam mundësitë për ta realizuar atë rol apo jo.

Kur interpreton një rol je më shumë teknik apo jep më shumë nga vetja jote?
Të të them që jam shumë teknik nuk mund ta them, të të them jap më tepër nga vetja ime edhe këtë nuk mund ta them. Raporti mes të dyjave anon më tepër nga vetja ime. Kjo kam përshtypjen ndodh nga natyra e njeriut, nga zhvillimi i teknikës. Ka shumë elementë nuk është se nuk do ta këndosh vërtet ashtu si është e shkruar. Duhet vërtet ta mendosh që ajo ngjarje ashtu ka ndodhur, apo ajo dashuri ashtu ka ndodhur. Teknika do jetë por do jetë shumë e thatë ana e regjisë, artisti do ta ketë më tepër mendjen tek teknika se sa tek interpretimi. Në qoftë se influencon më tepër interpretimi dhe më pak teknika, unë kam mendimin se ke më tepër sukses. Sepse njerëzit nuk janë më tepër të prirur nga teknika, por se çfarë transmeton tek spektatori. Sa mundohesh ti që ta bësh spektatorin për vete në momentin që këndon. Kjo mendoj se është ana më pozitive e një artisti. Pastaj varet se çfarë natyre je, sa ekspresiv, sa i ndjeshëm. Unë konsumoj më tepër energji se sa teknikë. Është gjë e bukur kur ti bën atë çka ti je munduar të bësh gjithë jetën, ata çka ti ke sakrifikuar, atë që ti ke lënë shumë gjëra pa bërë në jetë, ke hequr dorë dhe ke vendosur të merresh me diçka që është e bukur, është e vështirë që ty të të kënaqë. Por dëshpërimi vjen në fund fare kur je po aty në atë vend.

Në skenën e TOB?
Jo. Fillon një punë, mendon të krijosh një të ardhme, të jetosh si gjithë të tjerët, të kesh një mirëqënie, të ndihesh vërtet komod për atë që bën. Kur mendoj që unë bëj këtë, dhe shkoj në atë shtëpi ku asgjë s'ka ndryshuar, krijohet një lloj dëshpërimi dhe një lloj ankthi

Kjo e bën një artist shqiptar që t'i humbasë dëshira për të interpretuar mirë?
Kjo nuk do të thotë që humbet motivi. Artistët kanë kënduar edhe kur kanë qënë keq, edhe kur nuk u kanë dhënë lekë kanë kënduar, edhe kur nuk iu janë plotësuar kushtet kanë kënduar, në çdo moment artistët kanë kënduar sepse nuk ka dalë kot ajo fjala "je shpirt artisti".
Në të vërtetë, unë në atë skenë jam rritur, kam hedhur hapat e para, kam parë dhe mësuar shumë gjëra. Më vjen keq që nuk e kuptojnë vështirësinë, që nuk arrijnë të kuptojnë se sa vuan një artist për të bërë një gjë të bukur për të kënaqur spektatorin.

Ti mendon se një rrogë me e lartë do të ishte një motivim më i mirë?
Po pse të mos jetë diçka e tillë. Kur ne prezantojmë Shqipërinë kudo në botë. Sepse me një vlerë monetare të lartë nuk mund të themi që do jetosh si pasha. E dimë që shteti ka halle, po problemi është që kur ka lekë pse të mos investojë. Po marr vetëm një shembull: ka 55 vjet TOB-i dhe nuk i janë ndërruar një herë karriget, nuk ka lekë shteti të ndërrojë një palë karrige? Arti paguhet në të gjithë botën. Këtu në Shqipëri akoma nuk ka filluar të hyjë kjo lloj pagese. Ka diçka: në Teatrin Kombëtar rolet e para marrin nga 2 milionë lekë, ku është ndryshimi i tyre me ne që ne nuk i marrim këto lekë (të paktën kështu kam dëgjuar)? Ne paguhemi vetëm me rrogën shtetërore. Deri tani unë kam bërë role të para, por s'kam marrë asnjë lek veç rrogës.
Në gjashtë role "Rigoleto", "Traviata", "Butterfly", "Toska", "Vjeshtë me stuhi" dhe "Triptiku" jam shpërblyer vetëm për dy role. Nuk e di, dhe nuk jam interesuar ndonjëherë se si funksionon kjo punë.

Çfarë vështirësish hasin artisët në TOB?
Këtu është pak si ftohtë. Për shembull unë asnjëherë nuk kam dalë të këndoj me këmishë. Kur vjen vera bëhet nxehtë. Mendoj se kjo situatë ka për të vazhduar për ca kohë.

Na shuaj një kuriozitet për atë që nuk ke folur akoma deri tani: Si u gjende në skenën e RAI-t?
Ftesën për të kënduar e mora nga Leonardo Quadrini që bashkëpunonte me trombistin Esat Shehu. Ishte ai që i sugjeroi dirigjentit të RAI-t Caruso të më dëgjonte. Për atë shfaqje u zgjodhën tre tenorë, një nga Shqipëria, një belg dhe një italian. Pasi shkova atje bëra një audicion. Kam kënduar të premten dhe fitova. Studioja e RAI-t për mua është shumë ndryshe nga skenat ku kam qenë më parë, është më "e rëndë", vetë emri të bën që të jesh i motivuar, i përgatitur, të jesh i fortë, të përballosh emocionin e të kënduarit direkt.
Atje është tjetër gjë. Ka një ndryshim shumë të madh nga këtu. Ka një ngrohtësi, ka një lloj kënaqësie. Atje njerëzit bëjnë muzikë me dëshirë, jo nga halli si këtu.
Në qoftë se nuk merr lekët dhe nuk ndihesh mirë, i bie që po e bën këtë punë nga halli, që të mbash vendin e punës. Kurse atje është ndryshe. Ndofta sepse është një shtet i madh ka investime në këtë drejtim.

Si vazhdoi më tej rruga jote në skenat italiane?
Dy javë pas paraqitjes së parë këndova përsëri një material tjetër, po në "Domenica In" në RAI. Po përsëri me ftesë të Caruso-s. Para se të shkoja në RAI kam interpretuar në Bolonja. Kjo ka ndodhur në kohën kur kryeja specializimin në një akademi në Bolonja, e cila organizoi edhe një opera ku mora pjesë. Kemi kënduar kanconeta të vogla.

Cili ka qenë filli që të ka lidhur me Italinë?
Ka qenë një menaxher, i cili më ofroi një koncert në Kalabri. Më pas bëra nja audicion në këtë akademi. Më pas pedagoges Beatrice Bianco i pëlqeu zëri im dhe vendosi të punonte me mua. Gjatë kësaj kohe kam kënduar nëpër koncerte të ndryshme dhe kam studiuar.

Sa të vështirë e ka një artist shqiptar të ngjitet në një skenë të huaj?
Për mua ka qenë, është dhe do të ngelet shumë e vështirë. Gjëja e parë është që duhet të kesh shumë fat. Unë në këtë moment që jam tani jam në një pozitë të vështirë, sepse kam një punë dhe nuk mund të shkoj dhe të sakrifikoj sepse nuk kam të ardhura, të jetoj në Itali, të bëj audicione. Kurse të tjerët kanë pasur mundësi të tjera, kanë shkuar pasi kanë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë jetuar atje. Unë nuk jam në gjendjen e atyre që mund të çajë me lehtësi, sepse është e vështirë, sepse duhet të kesh menaxherë të fortë dhe kjo varet nga agjencitë.

Ti për momentin po bashkëpunon me ndonjë agjenci?
Jo, me asnjë. Kush të më ofrojë punë, kush të më kërkojë, jam i gatshëm të shkoj.

Për këtë arsye ke hedhur edhe në faqen e internetit You Tube videot e interpretimeve të tua më të mira?
Jo nuk mendoj se ato janë kulmi im, por ato kam kënduar. Pastaj jo të gjitha rolet e mia janë të filmuara. Unë aty dua të nxjerr interpretimet më të spikatura. I kam vënë këto video në internet me idenë që kanë vënë të gjithë dhe pse të mos vë edhe unë. Nuk i kam futur këto video me idenë se do të jenë frytdhënëse, por në qoftë se do të më thërrasin ose do të më kërkojnë një cd, unë do të komunikoj dhe do t'iu them t'i shohin në internet. Kjo është një mënyrë për të mos bërë shpenzime të kota, për të vajtur në një vend. Se për shembull, për një audicion në Itali, duhet të shpenzoj 500 euro, e fitoj apo jo. Dhe e mira është që të shohin që kam kënduar një opera në skenë, direkt.

Si e sheh të ardhmen e muzikës lirike në Shqipëri?
Kam përshtypjen që shteti duhet të mbarojë një herë punët e tij. Dhe pastaj të fillojë të merret me Operën. Ky është një institucion që edhe kështu siç është mund të shtyjë 5,10, 20 vjet, nuk ka ndonjë problem. Po nëse shteti fuqizohet dhe vë rregulla, kam përshtypje se do të rregullohet shpejt. Unë shoh që Akademinë e Arteve dhe në Opera nuk ka fryte, dëshira mund të jetë e madhe, por jo investimi.

Çfarë ndryshimi mendon se ka mes teatrit shqiptar dhe atij të huaj?
Investimi në skenat e huaja është më i madh, kurse këtu investimi është më i vogël dhe shfaqje ka më shumë. Këtë nuk arrij ta kuptoj. I vetmi problem është që opera nuk është tradita jonë, është traditë në Itali sepse e kanë muzikën e tyre, siç kemi ne Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Nëqoftëse do të ishte traditë e jona do ta mbanim, jo se kështu nuk e mbajmë. Por të shkosh të këndosh, të marrësh një rrogë dhe të mos bësh asgjë për veten tënde do të thotë që në këtë moment, nuk ia ke arritur qëllimit që ke në jetë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›