Rama në Peshkopi:Stop analfabetizmit
Kryetari i PS-së thekson se duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo bashkim kryetarësh për të ndarë poste
PESHKOPI- Turi i kryetarit të opozitës, Edi Rama, me Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim, ka vijuar dje me takimin e zhvilluar në qytetin e Peshkopisë.
Në këtë takim me të rinj vullnetarë të PS-së, por jo vetëm, është vënë theksi tek ndryshimi i politikës për të sjellë rezultate reale në vetë qeverisjen e vendit. Kryetari socialist, Edi Rama, ka deklaruar dje se analfabetizmi është shtrirë pasivisht, veçanërisht në zonat e thella të vendit, qofshin këto në veri apo në jug të vendit.
"Nuk mund të ketë një Shqipëri që shkon në shkollë dhe një Shqipëri që s'di shkrim e këndim në shekullin e 21-të, në mes të Europës, kur për faqen e zezë të politikës së vjetër të politikanëve, është ringjallur dhe po përhapet analfabetizmi.
Qeveria jonë e bashkimit të ri të qytetarëve, që do fitojë më 28 qershor, do të jetë qeveria e parë e këtij vendi që do t'i shohë e do t'i trajtojë fëmijët e qytetit dhe të fshatit në të gjithë territorin e Shqipërisë, si fëmijë të barabartë të Republikës së Shqipërisë. Problemi ynë është për të mos e lënë Shqipërinë, për të mos e lënë gjeneratën e re, që Sali Berisha ta zhysë më keq në papunësi, korrupsion e varfëri", - tha dje Rama.
Kryetari i opozitës theksoi nga Peshkopia, se socialistëve nuk u intereson një pazar kryetarësh, por një bashkim i ri qytetarësh. "Janë pazaret e zanatçinjve të vjetër që e kanë lënë vendin prej 18 vjetësh në këtë gjendje", - shtoi ai. Për këtë arsye, kryetari i PS-së shprehu edhe njëherë vendosmërinë e tij për të ndryshuar vetë politikën dhe mënyrën e të bërit politikë.
"Loja e vjetër e interesave personale, duke i përçarë dhe sunduar njerëzit, i ka ndihmuar politikanët të shkojnë shpeshherë aty ku kanë dashur të mbërrijnë.
Por, e ka penguar 18 vjet me radhë Shqipërinë të mbërrijë aty ku të gjithë ne kemi dashur",- tha Rama. Ai shtoi se: "Një bashkim kryetarësh për të ndarë poste për politikanët dhe për të lënë njësoj pa zgjidhur, njësoj si 18 vjet me radhë, hallet për njerëzit dhe për familjet shqiptare, juve nuk ju duhet.
Po as mua nuk më intereson. Një qeveri që ndërron qime, po jo zakon, juve nuk ju duhet. Po as mua nuk më intereson".