"Shqipëria, pasioni im", nga dje në Euro News
Dje në orën 10:46 filloi transmetimi i spotit "Promovimi i Turizmit në Shqipëri" në Euro News. Ministri i Kulturës, Ylli Pango, e bëri këtë prezantim duke komentuar qëllimet për turizmin gjatë 2009-s. Pango tha se me këtë do të synohet ruajtja të paktën e atij numri turistësh që u arrit vjet dhe veç kësaj të ketë një turizëm edhe më cilësor. Është viti i dytë që "Shqipëria, pasioni im" bëhet slogani që i fton të huajt të vizitojnë në rrjete televizive të rëndësishme.
Pas përvojës me CNN-in, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të shohë se ç'fryte do të sjellë transmetimi për 3 javë gjatë periudhës shkurt-prill 2009 i spotit "Promovimi i Turizmit në Shqipëri" në kanalin NR.1, që në Evropë përfaqësohet nga një rrjet distribucion prej më se 21 stacione televizive me 169 milionë shikues në Evropë e më gjerë.
Kohëzgjatja e spotit është 30 sekonda dhe fondi limit për prodhimin dhe transmetimin e tij është 150-160 milionë lekë të vjetra (pa tvsh). Numri total i spoteve është 99.
Shqipëria turistike paraqitet me brigje të pastër rëre dhe deti, me pushues të kënaqur në mjediset që kanë zgjedhur, me male në sfond dhe pak trashëgimi monumentale.
Prodhimi dhe transmetimi ndërkombëtar i këtij spoti është bërë nga vetë rrjeti Euro News.