E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguri si e Invës

Bukë me kripë


Mbrëmë Inva Mula këndoi live në Teatrin e Operës dhe Baletit. Lajme si ky nga VIP-a shqiptarë ose me origjinë shqiptare të skenës u ngjan numrave të shpejtësisë: nga dora e fshehur nën shami del një lepur që pasi i zgurdullon sytë spektatorit kthehet andej nga doli, nga hiçi ose nga ajo që quhet sirë.


Lajmi nuk është përhapur me bujë, është kursyer të paktën deri dje në drekë kur afishja e dhjetëvjetorit të një shoqërie sigurimesh e cila njoftonte se e ftuar ishte sopranoja, u mballos mbi kalendarin e aktiviteteve kulturore Shqipëri-Kosovë.
Për herë të fundit Inva është ngjitur në këtë skenë kur i ati nderohej me një titull të lartë nga shteti shqiptar.


Nuk këndon shpesh në Shqipëri Inva. Sopranoja që jetën me bazë në Paris e ndan mes qyteteve dhe skenave të botës ku prej vitesh ka ngritur karrierën, "është ftuar disa herë nga Opera, por nuk ka ardhur. Vetë e ka në dorë Inva. Do vjen, do s'vjen", thotë spektatori artist përballë saj, ndërsa ajo është duke bërë kalimin e fundit të programit me Orkestrën Simfonike të RTSH-së dhe instrumentistë të tjerë.


"Kësaj po që i them karrierë unë", shton burri. "Jo si tanët. Artistët tanë janë rrogëtarë. Janë artistë të mëdhenj, po pa brekë. Ku keni parë ju, hem të mëdhenj, e hem pa pare? Kurse ajo që shikon ti këndon në një vend të lirë, demokratik, ku ka konkurrencë, ku punon dhe paguhesh."


Ku ka fjalë më të ndjera se këto të artistit burokrat që pa frikë përfaqëson dhjetëra të tjerë, cilësinë e punës së të cilëve e vendos drejtori dhe jo biletat e shitura, as duartrokitjet e publikut. Publiku njëlloj duartroket si kur është mirë, si kur është keq. Asnjë dyshim për zërin e iks sopranoje apo filan tenori, as për skenografitë babilonike që i bëjnë këngëtarët të hiqen zvarrë si në rrafshnaltë, as për kostumet - sado të pikuara të jenë duken si lecka në atë skenë - nuk ia vlen përpara kënaqësisë së asaj "bravo" me zë të lartë, e cila tregon sa ke qenë i përpirë, i tëri aty, tek arti, tek muzika, aq sa të mos shkojë mendja tek i ftohti siberik (që edhe diva nuk e ka përballuar dot mbrëmë, siç e tregon kjo foto).


Si të largonte nga pamja flamujt e leckosur të kësaj tabloje reale, artisti burokrat i kthehet krahasimeve me "Evropin" dhe e justifikon praninë e rrallë të Invës në Shqipëri me axhendën e saj të tejngjeshur në tre vitet e fundit.


"Sot e ke këtu, nesër fluturon".
Në atë moment, sopranoja - me kalimin e moshës nuk ka humbur shumë rini - po këndon një varg kënge shqiptare që përsëritet: "ta dish... ta dish, ta dish.... ta dish".
Ka futur duart në xhepat e zinj.


E vetmja gjë me ngjyrë në atë siluet janë flokët. Duket aq e sigurtë, një kolonë shtatshkurtër jonike, me këmbët e veshura në gjysmë nga një palë çizme lustrafini të denja për një kopertinë në "Vanity Fair".


Skena që është ngritur rreth saj nuk ka asnjë lidhje me jaret shkodrane dhe as me klasikët e Invës. Shoqëria e sigurimeve e ka rrethuar me foto gjigante - butaforia ka në qendër një qiellgërvishtëse në stilin shqiptar - të ndërtesave të viteve tridhjetë, në Korçë dhe në Tiranë ku kompania ka zyrat e saj. Si ndodh në Shqipëri. Paguhet që njerëzve të mos iu kapë syri një copë harmonie.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›