E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bibliotekat publike vuajnë për fonde librash

Ministria e Kulturës nxjerr rezultatet e studimit të kryer në bibliotekat në rang kombëtar
Bibliotekat në rang kombëtar duhet të kenë më shumë fonde librash, por dhe hapësira më të mëdha. Këto janë rezultatet që janë nxjerrë nga një studim që ka bërë Ministria e Kulturës në këto biblioteka. Ky studim, sipas specialistëve të ministrisë është një praktikë pune që ndiqet çdo vit për të parë gjendjen e bibliotekave publike të vendit. Dhe studimi i këtij viti ka konstatuar se megjithëse stafi që punon në këto biblioteka vjen duke u kualifikuar, pjesa më madhe e tyre sot vuajnë për fonde librash. Mes asaj që sipas specialistëve të Ministrisë së Kulturës quhet progres, në këto institucione ka dhe shumë probleme të cilat ndikojnë patjetër tek lexuesit. Ky studim i përgjithshëm, për të parë gjendjen e tyre në shkallë vendi, është një proces që ka zgjatur përgjatë dy muajve të parë të këtij viti. Kjo është një praktikë pune  që ne e kemi të përvitshme. Ne çojmë pyetësorë dhe nxjerrim të dhëna për funksionim dhe gjendjen aktuale të bibliotekave publike në vend. Studimi kryhet për të gjitha standardet që duhet të ketë një bibliotekë duke filluar që nga ekzemplarët, titujt, antikuarët, periodiku, fondi i librave në gjithën shqipe dhe të huaj, periodiku personeli etj dhe  kjo bëhet për çdo problem që ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në këto institucione, tregon për gazetën Ermir Nika shef i sektorit të letrave në Ministrinë e Kulturës. Më tej sipas tij edhe pse është vënë re një lloj progresi në këto institucione ai është i vogël, por një problem shqetësues sipas tij është dhe shtimi i fondit të librave, ku në këto biblioteka shtimi i fondit me libra varet nga pushteti vendor mbi bazën e buxhetit që ai jep për këto institucione. Progresi në biblioteka është në rritje megjithëse është i vogël, por gjithmonë që ngelet në kuota të ulëta për sa i përket nevojave që kanë bibliotekat e sotme publike, ku përveç restaurimit duhet ti vihet rëndësi nga pushteti vendor nga të cilat ato varen dhe shtimit të fondit të librave, por kujdes duhet dhe ndaj personelit, tregon Nika. Sipas tij sot tregu i librit nxjerr shumë tituj dhe duhet një buxhet më i madh që këto institucione të pasurohen me libra të rinj. Tregu i librit nxjerr rreth 1500 tituj në vit dhe asnjë bibliotekë nuk mundet që ta përballojë blerjen e tyre. Por të paktën librat kryesorë, ku një nxënës apo një studiues do të gjejë në bibliotekë dhe të marri një informacion, duhet që ketë shërbim nga biblioteka me këta libra. Unë gjej rastin që të përshëndes stafin që punon në ato biblioteka, pasi kanë përballuar në vitet më të vështira fluksin dhe nevojat e lexuesve dhe i kanë mbrojtur ato biblioteka që të mos tjetërsoheshin  nga tranzicioni që kaluam, theksoi ndër të tjera shefi i sektorit të letrave Ermir Nika. Me më shumë probleme sipas tij janë bibliotekat e qyteteve të vogla. Problematika më e madhe është vënë re në qytet e vogla ka, qoftë me ambientet apo dhe me stafin. MTKRS është kujdesur bashkë me Bibliotekën Kombëtare për trajnimin e vazhdueshëm të stafit brenda dhe jashtë vendit, vijon të tregojë ai. Pas konstatimit të këtyre problemeve sipas tij MTKRS fillon dhe zbatimin enjë programi, i cili u vjen në ndihmë këtyre institucioneve. Në radhë të parë duhet të dimë se ku jemi, pastaj MTKRS e di se ku do të ngrejë një program dhe ku ka më shumë nevojë për të. Ajo që është pozitive është se në shumë biblioteka ka progresivitet, pasi ne sot kemi më shumë specialistë me shkollë të lartë në biblioteka. Kemi personel më të trajnuar, megjithëse nuk kanë shumë buxhet pasi ato janë në varësi të pushtetit vendor për sa i përket fondeve. Duhet të kemi parasysh për derisa bibliotekat kategorizohen, edhe Bashkitë kategorizohen, pra fondi që shkon për një bashki të nivelit të parë nuk shkon për një  tjetër të dytë. Kjo shkon në proporcion edhe me bibliotekat. Pra ne nuk mund të themi që në një rreth me një numër banorësh më të vogël do të kemi investime më të shumta, por këtu janë parë të domosdoshëm donatorët dhe projektet e tjera, thekson Nika. Për bibliotekat në Tiranë ai tregon se disa funksionojnë mirë, ndërsa disa të tjera duhet akoma punë. Një pjesë e tyre kanë nevojë për fonde të reja dhe hapësirë. Për sa i përket hapësirave është një problem jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë botën,pohon ai. Në bazë të të dhënave të këtij studimi rezulton se biblioteka model sot në Shqipëri është ajo e Lezhës, e cila është një bibliotekë me standarde bashkëkohore. Po ashtu, si bibliotekat më të mira shqiptare janë klasifikuar edhe ajo e Fierit, e Elbasanit për pasurinë e trashëgimisë që disponon, biblioteka e Korçës, në të cilën ka shumë donacione nga shqiptarët e diasporës, biblioteka e Vlorës, e cila është një godinë të re edhe pse kjo nuk ka hapësira të mjaftueshme. Sipas shefit të sektorit të letrave, biblioteka e Durrësit dallohet për një shërbim të mirë dhe punë profesionale,megjithëse mungon hapësira e mjaftueshme për fluksin e lartë të lexuesit. Po ashtu, renditen edhe bibliotekat që nuk janë në gjendje të mirë funksionale, ku mes tyre në bazë të studimit Cërriku nuk ka bibliotekë, Shijaku ka një rikonstruksion të ndërtesës. Në gjendje jo të mirë funksionale është biblioteka e Hasit, ajo e Poliçanit, Leskovikut, Laçit.  Ministria e Kulturës ka nënshkruar marrëveshjen me të huajt për trajnimin e stafit, si një nga projektet kryesore, i cili organizohet çdo vit. Qendra më e madhe e kualifikimit në vend, sot është vetëm Biblioteka Kombëtare. Ekziston një shkollë dyvjeçare, e cila trajnon bibliotekarët në shkallë vendi në të gjitha nivelet, por ka trajnime edhe në vende të huaja.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›