Dejzilend, pjesëmarrëse në festivalin Apollon të Fierit
Shfaqja teatrore "Dejzilend" me tekst të Christofer Durang dhe regji të Agon Myftarit do të jetë pjesëmarrëse në festivalin "Apollon", i cili zhvillohet në fund të këtij muaji në qytetin e Fierit. Për këtë shfaqje teatrore është hera e parë, që merr pjesë në një aktivitet teatror jashtë Kosovës.
Një ditë pas Fierit shfaqja Dejzilend do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Regjisori i shfaqjes Agon Myftari ka deklaruar në media se njëherësh ky është edhe udhëtimi i parë i ndonjë shfaqjeje të realizuar me regjinë e tij. Shfaqja Dejzilend është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë në muajin shkurt të këtij viti dhe ka shënuar sukses në skenën e tij. Në shfaqje luajnë një kastë e njohur aktorësh si: Ilire Çelaj, Ernest Malazogu, Yllka Gashi, Adriana Matoshi dhe Ylber Bardhi. Shfaqja është pjesë e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërkohë që ajo pret të marrë dhe vlerësimin e publikut gjatë ditëve të festivalit Apollon, i cili pritet që të zhvillohet në qytetin Fierit.