Fier, FSHZH premton ndërtimin e 2 rrugëve kryesore rurale
Këshilli i Qarkut Fier ka nënshkruar marrëveshjen me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e dy rrugëve kryesore rurale në Fier dhe Mallakastër. Sipas marrëveshjes FSHZH-ja do të investojë shumën e 3 milion dollarëve për aksin rrugor Marinëz- Fier, i gjatë 15 km. Kjo rrugë do të ndihmojë banorët e zonës për të nxjerrë më shpejt prodhimet e tyre bujqësore në tregun e Fierit, pasi për një kohë të gjatë kjo zonë ka qenë krejtësisht e izoluar përsa i përket lëvizjes së mjeteve të tonazheve të ndryshme.
I njëjti fondacion do të investojë shumën e 90 milion lekëve për ndërtimin e rrugës Ballsh-Aranitas-Selit 15 km e gjatë dhe e gjerë 6 metra. Ka qenë kreu i Këshillit të Qarkut Fier, Luan Muçaj, ai që ka pohuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të tjerë akse rrugore, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë qarkun e Fierit. Muça ka theksuar se brenda këtij mandati janë ndërtuar e rikonstruktuar 70 % të rrugëve rurale. Shumë shpejt, do të fillojnë punimet në akset rrugore rurale që kryeministri Berisha premtoi në vizitat e tij të fundit në Qarkun Fier si Divjakë-Pushimi i Shoferit, Qafa e Koshovicës-Cakran dhe Lushnje-Ballgat do të bëhet aks rrugor nacional, është shprehur ai. Kreu i qarkut është ndalur ndër të tjera se gjithë këto investime pritet të përfundojnë brenda afatit kohor prej tre muajsh, duke ndihmuar seriozisht komunitetin e këtyre zonave.