Biçikleta e Kryeministrit
Dje ishte një ditë e shënuar në mbarë botën. Ishte Dita Ndërkombëtare e Mjedisit. Bota e feston në mënyra të ndryshme, duke demonstruar se sa i rëndësishëm është ajri i pastër për njerëzit dhe se si duhet mbrojtur ai. Ja p.sh., kryeministri i Rumanisë, Tariceanu përdori biçikletën për të vajtur në zyrën qeveritare. Ai nuk përtoi të udhëtojë 15 minuta nga shtëpia e tij në lagjen “Calea Plavnei” deri në zyrën e tij, në Pallatin Viktoria, njoftuan me gëzim mediat rumune. Kreu i qeverisë rumune u shpreh se me ndërtimin e korsive për biçikletat, administrata e Bukureshtit ka bërë diçka të vogël për të eliminuar trafikun e automjeteve. E kishte fjalën për ato korsi që sapo ka imituar në Tiranë, Bashkia e kryeqytetit.
Po kryeministri i Shqipërisë çfarë bëri dje në ditën e mjedisit?
Në mëngjes doli nga shtëpia, hipi në makinë dhe shkoi te zyra ngjitur i shoqëruar nga eskorta e paparë me makina dhe bori. Pastaj doli nga zyra dhe me të njëjtën lukuni mjetesh motorike shkoi te “Sheratoni”, shumë afër selisë së qeverisë. Atje foli për mjedisin. E cilësoi si Dita e Jetës: “Asgjë nuk është e lidhur më shumë me jetën sesa mjedisi ku jetojmë”. (shih www.km.gov.al).
Superlativa edhe për Ministrinë e Mjedisit: “Vlerësoj kontributin e tyre dhe mbështes të gjitha përpjekjet e Ministrisë së Mjedisit për të mbrojtur standardet e domosdoshme për zhvillimin e mjedisit".
Po si është mjedisi në Shqipëri? Erozioni po i rrëmben tokën Shkodrës, Tropojës, Sarandës, Gjirokastrës. Kemi gropa të zeza, duke nisur nga Gërdeci i qeverisë, zona e ish-ndërmarrjes Kimike Durrës, fusha naftëmbajtëse e Marinzës në Patos, Uzina e Plehrave Azotike në Fier, etj.
Pastaj kemi dhurata e Berishës për mjedisin: pesë fabrika çimentoje që po ngrihen njëra afër tjetrës, qindra gurore që kafshojnë malet dhe djegin goma makinash, TEC-et me qymyr që do të bëhen me VKM, depozita karburantesh gjithandej. “Spiuni” e këshillon Kryeministrin që, për të mirën e shëndetit të tij, të mos udhëtojë me asgjë tjetër, përveç makinës së blinduar me ajër të kondicionuar.
Qeveria e Kavajës
Këtu e 10 vite më parë “Spiuni” ishte për ngushëllim në shtëpinë e një kolegu të njohur, Gavrosh Levonja. Goshi kishte humbur të ëmën, aktoren e shquar Behije Levonja, që na la role si ai i Hajries te komedia “Prefekti”. Me radhës së gazetarëve që kishin shkuar për ngushëllim te shtëpia që ndodhej te “Rruga e Kavajës”, u fut edhe një mesoburrë që po rrufiste i qetë kafenë e mortit. Njëri u habit kur e pa dhe i tha: “Ore, po sikur të pashë te lajmet se të kishin kap me ato letrat?”.
-E, e, m’kapën po m’lshun se pa ne populli nuk do mor asnji dokument shtetnor”.
I kapuri nga policia ishte njëri prej atyre mjeshtrave te “Rruga e Kavajës”, ata që të kryejnë punë për çfarë të duash ti, për pasaporta, certifikata, apo vërtetime dhe aq saktë, saqë ambasadat nuk pranojnë të tjera veç dokumenteve të mjeshtrave te “Rruga e Kavajës” apo te “Piaca”.
“Spiunit” iu kujtua ky detaj dje kur dëgjoi fjalën e shefit të Njësisë së Përbashkët Hetimore "Task Force" në Prokurorinë e Tiranës, që u shpreh: “Jemi përpara një industrie të tërë falsifikimesh si pasaporta, patenta, certifikata, kontrata, akte pronësie, vendime gjykate e prokurorie, përmes të cilave realizohen shumë veprimtari kriminale mes tyre si mashtrime, vjedhje pasurie dhe tjetërsim i pronave".
Një rrjet perfekt që nuk e ka penguar as qeverisja online e Berishës dhe as anti-korrupsioni që po na buçet kokën prej tre vitesh.