E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, vidhet magazina e presidentit të Skënderbeut

 

Denoncimi u bë në mëngjes nga presidenti i klubit të futbollit. Janë vjedhur 26 fletë bakri

Policia: Dyshohet se janë grup grabitësish, por ende asgjë gjurmë. Dje, 10 të shoqëruar në polici

Korçë-Vidhet magazina e hekurit e presidentit të klubit të futbollit “Skënderbeu” në Korçë. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të së mërkurës, ndërsa grabitësit kanë vjedhur një sasi fletësh bakri nga magazina më e madhe e hekurit në qytetin juglindor të vendit. Mëngjesin e djeshëm, presidenti i klubit të futbollit të ekipit “Skënderbeu”, Tomi Balli, ka kërkuar ndihmë në policinë e Korçës, por ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët e vjedhjes.

***

Sipas të dhënave policore, biznesmeni i hekurit grabitet për herë të parë. Megjithëse magazina e tij, në periferi të qytetit është nën syrin vëzhgues të rojeve të këtij objekti, për më tepër edhe të rrethuar, nga magazine janë marrë 26 fletë bakri. Duke iu referuar zyrës së krimit kundër pronës në Drejtorinë e Policisë në Korçë mësohet se ngjarja ndodhi në magazinat e firmës, në segmentin nacional Korçë-Kapshticë, rreth 1.5 kilometra larg qytetit të Korçës. Dëmi ekonomik i vjedhjes, sipas dëshmisë së të dëmtuarit arrin në vlerën e 400 mijë lekëve, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur vjedhjen në një nga subjektet më të mëdhenj në këtë qark dhe i vetmi i grumbullimit të hekurit dhe bakrit. Grabitësit kanë hyrë në ambientet e brendshme të magazines dhe kanë kryer grabitjen. Fletët e bakrit mendohet të jenë transportuar me një makinë që priste autorët në vendin e ngjarjes. “Ka qenë vetë presidenti i firmës, Tomi Balli, njëherësh dhe president i ekipit “Skënderbeu”, i cili ka bërë denoncimin në polici”- thanë burimet policore, duke shtuar se menjëherë nisën hetimet për ngjarjen. Ekspertët e dërguar kanë bërë këqyrjen e vendit ku ndodhi grabitja për të parë nëse ka shenja të autorëve.

***

Policia dyshon se janë më shumë se dy persona të përfshirë në këtë vjedhje, por nuk bëhet me dije asnjë emër. Mësohet se autorët janë treguar të kujdesshëm, duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet, por ende nuk ka mbërritur tek autorët. “Deri tani në polici janë shoqëruar 10 persona si të dyshuar për këtë vjedhje, ndërsa mendohet që të jetë i njëjti grup që ka kryer dhe të tjera vjedhje të kësaj natyre”,- thonë burimet. Vjedhja e hekurit, bronzit apo bakrit tashmë është kthyer në një fenomen në qytetin e Korçës. Vetëm pak ditë më parë, disa banorë të qytetit kanë denoncuar dhunimin dhe dëmtimin e varrezave të të afërmve të tyre, duke hequr shufrat e hekurit në betonin e varreve, ndërkohë që bronzi sigurohet sërish nëpërmjet grabitjes kryesisht tek skulpturat e patriotëve të ndryshëm që gjenden në qytet. Akti i fundit ka qenë heqja e shkronjave të bronzit monumentit të patriotit Themistokli Gërmenji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›