E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çimkat e Presidencës

 

Institucionet shqiptare historikisht i kanë dashur shumë çimkat, këto përgjues të famshëm të luftës së ftohtë. I përdornin gjithandej për të përgjuar njëri-tjetrin dhe për të ndëshkuar armiqtë. I kanë përdorur me shumë efikasitet, dhe “armiqve” ua kanë gjetur vendin. Koha ka rrjedhur, teknologjia ka ecur shumë përpara dhe tani, ndoshta nuk ka nevojë që të përdoren çimkat e lashtë, por përgjimi ka mbetur. Qeveria e sotme punon njëlloj si ajo që ishte. Sepse armiqtë ekzistojnë ende dhe sidomos në institucionet që herë pas here i bëjnë karshillëk qeverisë. Kjo puna e çimkave iu kujtua dje “Spiunit” kur po ndiqte kronikën e takimit mes Presidentit të vendit, Bamir Topi dhe Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, John L.Withers II, i cili erdhi në Tiranë më 28 qershor 2007. Iu kujtua rrëfimi i njërit prej ish-bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Miosiu, për kohën kur klima politike dhe institucionale mes Presidencës dhe qeverisë “Nano” dhe pastaj asaj Berisha, ishte shumë e nderë. Njeriu i stafit të Moisiut rrëfente se temat e disa prej takimeve delikate të kreut të shtetit merreshin vesh para se të mbaronin, dhe ata që merreshin me lajmet zyrtare, habiteshin se si kishte rrjedhur informacioni. Njëfarë shpjegimi e gjetën më vonë, kur ish-Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Marsi Ris, nuk pranonte të bënte bisedime në Presidencë me kreun e shtetit shqiptar. Ajo e ftonte z.Moisiu te rezidenca e saj diplomatike dhe atje biseda bëhej larg çimkave. Po çfarë lidhje ka që qeveria e PD-së të përgjojë Presidentin, që deri para 24 korrikut 2007 ishte nënkryetari i partisë? Edhe mund të ketë. Sepse z.Topi, siç tha kryeministri Berisha, të hënën, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, po bën më keq se Moisiu, sidomos me ato kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, me mosdekretimin që i bëri Ligjit të Legalizimeve, apo tani që është në krah të Ina Ramës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Shkurt muhabeti, edhe ai po bëhet pak “armik’ për qeverinë e Doktorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›