Policia: Mile Çami masakroi nënën e Lul Cakës
Zbardhet një nga ngjarjet më makabre, ekzekutimi e përdhunimi i nënës së Lul Cakës nga “i forti i Fierit”, Fatmir Emini
FIER- Masakrimi që i është bërë nënës së Lulëzim Cakës nëntë vite më parë në qytetin e Fierit, tashmë ka edhe emrat e autorëve. Edhe pse ishte një ngjarje që kishte bërë bujë në të gjithë Shqipërinë, policisë iu deshën nëntë vite për të vërtetuar atë që e dinte i gjithë qyteti i Fierit. Xhevrie Caka, nëna e Lulëzim Cakës është vrarë nga Fatmir Emini, i njohur ndryshe edhe si Mile Çami, së bashku me dy vëllezërit Yzeiri. Ajo është rrëmbyer vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Fierit dhe pasi është torturuar, masakruar dhe përdhunuar në pyllin e Semanit, është ekzekutuar me një plumb pistolete në kokë.
Vrasja
Më një korrik të vitit 1999 Xhevrie Caka kishte udhëtuar nga Berati për në qytetin e Fierit ku do të takonte të birin që ndodhej në paraburgim. Gjatë takimit me Lul Cakën, ajo është paralajmëruar që të ketë kujdes nga rivalët e tij, Mile Çami e banda e tij. I njëjti paralajmërim i është bërë edhe policisë por uniformat blu nuk e kanë marrë aspak në konsideratë. Sapo nëna e Lul Cakës ka lënë komisariatin i ka dalë përpara një makinë, brenda të cilës ndodheshin tre persona. Ata e kanë kapur me forcë dhe e kanë futur brenda në makinë. Më pas gruaja e moshuar është shpënë në pyllin e Semanit ku është torturuar për orë të tëra. Rrëmbyesit e saj nuk kanë nguruar që ta përçudnojnë gruan e moshuar duke e përdhunuar. Në fund Xhevrie Caka është qëlluar me një plumb pistolete pas koke dhe është lënë në pyllin e Semanit, aty ku është gjetur më pas edhe nga policia. Pas vrasjes Caka ka akuzuar menjëherë Fatmir Eminin si autori i vrasjes së nënës së tij dhe është betuar që të marrë hak. Në vitet pasardhëse, dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e hasmërisë së lindur pikërisht pas vrasjes së nënës së Lul cakës.
Autorët
Operacioni për të zbuluar autorët e këtij krimit të tmerrshëm është koduar nga policia e Fierit me emrin “Rrëmbimi”. “Në afërsi të portës ku bëheshin takimet me të arrestuarit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier është rrëmbyer, torturuar dhe më vonë është vrarë me armë zjarri në pyllin e lumit Seman Xhevrie Caka. Pas hetimeve rezulton se autorë të këtij krimi janë shtetasit Fatmir Emini, 52 vjeç, Artan Yzeiri, 38 vjeç dhe
Bledar Yzeiri, 30 vjeç. Të tre këta persona janë të dënuar edhe për disa vrasje të tjera”,- thanë burimet zyrtare të policisë. Kushtu Emini, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje, aktualisht është duke vuajtur dënimin; -Artan Yzeiri, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e ish -Kryetarit të Komunes Kutalli Berat, aktualisht është person në kërkim; Bledar Yzeiri, i dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e shtetasit Neki Çala, është i arrestuar në Belgjikë dhe pritet ekstradimi tij. Sipas policisë, në hetim janë edhe rreth 30 vrasje të vjetra, të cilat dyshohet se janë kryer nga grupi i Fatmir Eminit. Loli Çeçoaliaj
TË ARRESTUARIT
Fatmir Emini, 52 vjeç, lindur e banues në Fier, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje, aktualisht është duke vuajtur dënimin
Artan Yzeiri, 38 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Fier, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e ish- Kryetarit të Komunës Kutalli Berat, aktualisht person në kërkim
Bledar Yzeiri, 30 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Fier, i dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e shtetasit Neki Çala, është i arrestuar në Belgjik, pritet ekstradimi tij