Platini : “Festa është gati, Europiani, shtëpia e futbollit”
“Festa është gati. Si president i UEFA-s unë jam shumë krenar që turneun është në prag të nisjes”. Kur duhen edhe pak orë nga fillimi i Kampionatit të 13-të Europian të Futbollit, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini dha vlerësimet e tij në gazetën franceze “L’Equipe” për aktualitet që e shqetësojnë futbollin kontinental, duke trajtuar një gamë të gjerë problemesh, që nga shanset e “bluve” (Francës), e deri të biznesi në futboll. Platini është i bindur se futbolli do të bashkojë miliona fansa në Europë dhe në botë në pritje të emocioneve që dot sjellë Euro 2008. “Është punuar shumë dhe do të jetë një atmosferë e mrekullueshme për fansat që do të vinë në Austri nga e gjithë Europa, Do ketë shumë dramë, dhimbje e gëzim, dhe ekipi më i mirë do të jetë fitues, por unë shpresoj se futbolli do të jetë fitues”.
Duke dashur të ruajë neutralitetin për shkak të funksionit të tij, ish-kapiteni i Kombëtares së Francës tha: “Europiani për mua, nuk është asgjë tjetër veçse një strehë e futbollit. Është kënaqësia ime”. Ish-trajneri i “Gjelave” foli edhe për futjen e teknologjisë video në funksion të ndihmës të gjyqtarëve. “Unë jam për t’i ndihmuar gjyqtarët me sytë njerëzorë. Unë jam kundër videos, pasi është e panevojshme. Nuk sjell asgjë dhe vetëm shkatërron ndeshjen. Nëse do të vendosim videon në gjykim, do të vendoseshim në një rreth ferri. Ka shumë njerëz që marrin vendime dhe që nuk njohin vlerat e futbollit”.
Në lidhje me Ligën e Kampioneve dhe klubet që dominojnë atë, ish-numri 10 i Francës thotë: “Qëllimi nuk është më të fitojnë tituj, por paraja për të rregulluar borxhet. Shikoni deficitet e Çelsit dhe Mançesterit (1,9 miliardë euro). FIFA dhe UEFA duhet të luftojnë kundër kësaj. Mendoni që në Angli u propozua të luhej një javë, të 39-n, jashtë Anglisë. Kjo më bezdis. Duhet të gjejmë mënyrat më Shoqatën e Klubeve Europiane” për t’i ndihmuar klubet për të rregulluar problemet e tyre. Nuk duhet që dështimi të shndërrohet në një dramë financiar”. “Italia, Franca dhe Gjermania janë favoritët më të mëdhenj për Euro 2008”, - tha para disa ditësh Platini për gazetën spanjolle “As”. “Megjithatë, është e vështirë të bësh parashikime. Edhe Portugalia e Spanja janë ekipe të mëdha. Spanja, në veçanti, është një mister i vërtetë, dështon gjithmonë të kalojë çerekfinalet”. Platini, i cili udhëhoqi Francën në fitoren e Euro 1984, zbuloi edhe sekretin e fituesve në kampionatet e mëdha. “Greqia dhe Italia fituan Kampionatin Europian dhe Kupën e Botës pasi kishin një balancë të mirë. Futbolli nuk është vetëm sulm, por një balancë midis sulmit dhe mbrojtjes”.
251 milionë euro
Sipas një studimi të bankës zvicerane USB dhe faqes gjermane Transfermarkt.de vlera e ekipit spanjoll në tregun e transferimeve arrin në 251 milionë euro. Spanja e Luis Arragones ka kështu çmimin më të lartë nga të 16 finalistet e Kampionatit Europian.
Anglezët jashtë, dëmi 2 miliardë euro
Mungesa e Anglisë në fazën finale të Kampionatit Europian të futbollit përkthehet në një dëm të madh financiar për shumë sektorë të ekonomisë britanike. Dëmi llogaritet në 1.65 miliardë sterlina ose dicka më shumë se 2 miliardë euro dhe në mënyrë figurative i dedikohet trajnerit Stiv Meklaren, i cili nuk arriti të kualifikojë Anglinë. Llogaritë janë të thjeshta. Sipas tabloidëve britanikë, artikujt sportivë me stemën e “Tri luanëve” nuk janë shitur: dëmi 376 milionë euro, plus 62 milionë nga kompanitë që prodhonin setet e skuadrës. Në dyqanet e elektroshtëpiakeve, që gjatë Botërorit 2006 shisnin mesatarisht një televizor në minutë shitjet kanë rënë dukshëm: humbjet 250 milionë euro. Humbje kanë ndierë edhe kompanitë ajrore (31.3 milionë euro) e deri të pabet (156 milionë euro). Te humbjet shkon edhe ndryshimi i trajnerit, pasi tani Fabio Kapelo merr 3.1 milionë euro më shumë se Meklaren. Agjencitë e basteve kanë humbur 330 milionë euro, pasi anglezët janë të çmendur pas skuadrës së tyre. Edhe televizionet kanë pësuar humbje: 62.7 milionë sterlina nga mungesa e spoteve televizive. Kompanitë celularë kanë humbur rreth 37.6 milionë euro.
Gjermania, e “përkëdhelura” e basteve
Kampionatin evropian të futbollit 2008 e fiton Gjermania. Koeficientet jepen nga kompanitë më të mëdha të basteve në botë (Bëën, Bet 365, Euro lotto, Bett soccer, etj), të cilat kanë filluar prej disa kohësh të pranojnë baste nga më të ndryshmet lidhur me Kampionatin Evropian të futbollit, 7-29 qershor 2008.
Skuadra gjermane ka dhe numrin më të madh të kampionateve të fituara: 3 (1972, 1980, 1996), por dhe numrin më të madh të pjesëmarrjeve në finalet e një Europiani, 10 nga 13 kampionatet e deritanishme, përfshirë edhe Euro 2008.
Koefiçientët
për EURO 2008
Gjermania: 4.75
Spanja: 7.00
Italia: 7.00
Portugali: 8.50
Franca: 10.00
Holanda: 14.00
Kroacia: 14.00
Rep. Çeke: 15.00
Zvicra: 23.00
Greqia: 26.00
Suedia: 29.00
Rusia: 29.00
Rumania: 34.00
Polonia: 41.00
Turqia: 41.00
Austria: 81.00
7 Qershor 2008