E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Biden do të emërojë ish-CEO e Mastercard, Ajay Banga për President të Bankës Botërore

Presidenti Joe Biden do të emërojë ish-drejtorin ekzekutiv të Mastercard, Ajay Banga, president të ardhshëm të Bankës Botërore. Banga “ka shpenzuar më shumë se tre dekada duke ndërtuar dhe menaxhuar kompani të suksesshme globale që krijojnë vende pune dhe sjellin investime në ekonomitë në zhvillim dhe duke udhëhequr organizatat nëpër periudha ndryshimesh thelbësore. Banga ka një perspektivë unike mbi mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen vendet në zhvillim dhe se si Banka Botërore mund të përmbushë axhendën e saj ambicioze për të ulur varfërinë dhe për të zgjeruar prosperitetin”, tha Biden në një deklaratë këtë të enjte.

Presidenti aktual i Bankës Botërore, David Malpas, ka njoftuar së fundmi se do të largohet nga ky post deri më 30 qershor. Ai nuk ka specifikuar arsyet pse po largohet para përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar.

Presidenti i ardhshëm i bankës do të ngarkohet me reformimin e institucionit gati 80-vjeçar, një proces i nxitur së bashku nga një rishikim i Grupit 20 i lëshuar vitin e kaluar dhe i promovuar nga Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.

Banga ka bashkëdrejtuar Partneritetin për Amerikën Qendrore, një iniciativë për mbështetjen e sektorit privat për rajonin që synon të krijojë më shumë aktivitet ekonomik dhe vende pune, me kontribute prej më shumë se 4.2 miliardë dollarë në rreth 50 kompani dhe organizata . 63-vjeçari aktualisht shërben si nënkryetar në firmën amerikane të investimeve General Atlantic LP. Para kësaj, ai kaloi një dekadë si president dhe CEO i Mastercard.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›