Biden kërkon nga Daçiqi zbatimin e plotë të marrëveshjes

Zëvendëspresidenti i SHBA, Joseph Biden ka takuar në Washingtonn kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq të cilin e ka uruar ‘për arritjen e marrëveshjes fillestare në dialogun e ndihmuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës’.
Kjo marrëveshje, thuhet më tej në deklaratën që e dha zyra e zëvendëspresidentit, mbart shpresën e avancimit të aspiratave evropiane për të dyja vendet si dhe për të garantuar një të ardhme prosperuese dhe paqësore për qytetarët e tyre, transmeton RTK.
Më pas deklarata theksonte se ‘kryeministri serb dhe qeveria e tij treguan përkushtimin e nevojshëm për të marrë hapa të rëndësishëm’. Zëvendëspresidenti amerikan gjithashtu ka ritheksuar angazhimin e SHBA për një partneritet dypalësh të fortë dhe në rritje me Serbinë.
“Biden theksoi rëndësinë që Serbia dhe Kosova të punojnë me ngulm për të përmbushur zotimet e dialogut dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen. Ai inkurajon të dyja palët që të shfrytëzojnë këtë shans historik për të çuar përpara vendet e tyre”, thekson deklarata nga zyra e zëvendëspresidentit amerikan.
Ndërkaq, kryeministri serb tha se Serbia ka marrë mbështetjen e Amerikës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, si dhe premtimin që nëse ajo zbatohet, atëherë Washingtoni do të përdorë ndikimin e vetë te vendet anëtare të BE-së për t’i dhënë Serbisë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim. /Indeksonline/