E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhiq: Ndërtuam besimin qytetar

Shefja e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, ka thënë se brenda vitit të parë të punës kjo zyrë ka ndërtuar besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ajo ka treguar se kjo zyrë gjatë kësaj kohe ka krijuar një bazë kualitative për komunën e re të Mitrovicës veriore. Sipas saj, deri më tani rreth 6 mijë e 100 qytetarë kanë kërkuar shërbime, nga të cilët mbi 70 për qind janë nga komuniteti serb

Në njëvjetorin e themelimit të Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq ka vlerësuar se ky institucion ka arritur të bëjë shumë në ndërtimin e besimit në mes qytetarëve të pjesës veriore dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Ajo ka deklaruar se është arritur të krijohet një bazë kualitative për komunën e re të Mitrovicës veriore, e cila pritet të themelohet pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Duke folur për aktivitetin e kësaj zyre, Hoxhiq ka bërë me dije se prej muajit shtator të vitit të kaluar, kur kjo zyrë ka filluar të ofrojë shërbime, deri më tani mbi 6 mijë qytetarë kanë kërkuar shërbime nga ky institucion, nga të cilët mbi 70 për qind janë nga komuniteti serb. “Për çdo ditë e marrim evidencën për secilin qytetar që lajmërohet në zyrë. Në bazë të këtyre evidencave, deri më tani rreth 6 mijë e 100 persona kanë kërkuar shërbime të ndryshme në këtë zyrë, nga të cilët mbi 70 për qind janë nga komuniteti serb”, ka thënë Hoxhiq.

Pavarësisht sfidave, ajo ka deklaruar se me arritjet e kësaj zyre janë befasuar të gjithë. Sipas saj, në fillim ka pasur një skepticizëm të madh për funksionalizmin e kësaj zyre. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur sigurinë si sfidë kryesore me të cilën ky mekanizëm shtetëror është përballur brenda vitit të parë të punës. “Kjo është çështje e cila është lajmëruar prej ditës së parë të hapjes së kësaj zyre. Mund të them se ende nuk ka ndryshuar asgjë në këtë aspekt. Siguria ende vazhdon të jetë sfidë kryesore”, është shprehur ajo. Sa i përket fatit të kësaj zyre, pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri, Hoxhiq ka thënë se për këtë do të vendosë Qeveria e Kosovës. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›