E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petroviq i lutet Thaçit, të shkarkojë Rashiqin!

Të dy vijnë nga një parti, ajo liberale serbe (SLS), por tashmë rrugët e tyre janë ndarë. Njëri prej themeluesve të kësaj partie, Nenad Rashiq, ka disa ditë që bashkë me disa deputetë tjerë është shkëputur nga SLS dhe kanë krijuar një grup të ri parlamentar, “E ardhmja e përbashkët”, grup ky që tashmë është zyrtarizuar.

Si përgjigjje ndaj këtij veprimi, lideri i SLS-së, zëvendëskryeministër dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, ka bërë kërkesë tek kryeministri për të shkarkuar Rashiqin nga posti i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale.Ndonëse Rashiq tregon për “Zërin”, se ky veprim i Petroviqit e dëshmon edhe njëherë se zëvendëskryeministri serb ka përçarë njerëzit e partisë, është i papërgjegjshëm dhe si i tillë ka bërë që ai bashkë me katër deputetët tjerë të krijojnë grupin e ri.

Ai po ashtu tregon se Petroviq ka gënjyer kur ka thënë se Rashiq ka ofruar dorëheqje në parti duke e përdorur si arsye për kërkesën e shkarkimit të tij.
“Unë e pashë që Petroviq ka bërë kërkesë tek kryeministri për shkarkimin tim, për siç ka thënë ai, se unë paskam dhënë dorëheqje nga partia. Kjo nuk është e vërtet unë nuk kam dhënë dorëheqje. Po ashtu ai ka shkelur edhe çështjet tjera teknike kur ka marr këtë vendim, pasi që në mbledhje të partisë atë ditë kanë munguar gjysma e anëtarëve e po ashtu nuk është thirrur as kongresi siç e përcakton statusit i SLS-së”, tha për “Zëri”, Rashiq.

Sidoqoftë ai shton se nuk i pengon edhe nëse kryeministri e shkarkon, pra siç shprehet ai “Kjo nuk po më preokupon”. Rashiq thotë se është duke pritur që të takohet me kryeministrin Thaçi për të biseduar rreth vendimit të tij dhe rreth mundësisë që të ketë një koalicion mes tij e grupit të ri parlamentar.
“Ende nuk ka asgjë rreth kësaj, pasi që kryeministri gjendet jashtë vendit, por po presim”, tha ai.

Nga ana tjetër, i kontaktuar nga gazeta, Petroviq nuk ka deshur të hyjë në detaje nëse ka shkelur apo jo procedurat e partisë për të kërkuar shkarkimin e Rashiq, por ai thjesht tha se akoma nuk ka marrë përgjigjje. “Presim që përgjigjen nga kryeministri ta marrim këto ditë. Ne kemi bërë këtë kërkesë pasi që Rashiq nuk është më pjesë e partisë dhe meqë ne jemi në koalicion me PDK-në, atëherë ai edhe duhet të shkarkohet nga posti i ministrit që e mban në emër të SLS-së”, u arsyetua Petroviq.

Ai shtoi se nuk është e vërtetë që SLS është ndarë në dysh, përkundrazi, sipas tij, kjo parti po forcohet, ku vetëm ditët e fundit i janë shtuar me qindra anëtarë të rinj.

Arsyeja e ndarjes së grupit parlamentar të SLS-së, i cili përbëhej nga tetë deputetë, ku tashmë katër prej tyre kanë kaluar në grupin e ri “E ardhmja e përbashkët”, sipas Rashiq ka të bëjë pikërisht për të ndihmuar këtë Qeveri në proceset që po kalon, në veçanti atë për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për veriun.

Rashiq ka akuzuar se Petroviq në mënyrë indirekte po punon kundër zbatimit të kësaj marrëveshje. Andaj, Rashiq thotë se ai bashkë me anëtarët tjerë të SLS-së, që janë kundër politikave të Petroviqit janë të interesuar që të ndihmojnë në integrimin e veriut në institucione të Kosovës.

Nga ana tjetër, analistët mendojnë se e gjithë kjo zhurmë brenda SLS-së, në këtë moment ka të bëjë pikërisht për procesin e veriut, për zgjedhjet lokale që do të mbahen atje.

Analisti Azem Vllasi, nuk beson se njëri apo tjetri e duan të mirën vendit, por thjesht lufta e tyre është për pushtet. “Kjo nuk është vetëm tek serbët, kjo është njësoj edhe tek shqiptarët. Asnjëra palë nuk po lufton për komb, për interesa të qytetarëve, pos për pushtet. Andaj edhe në këtë rast, mendoj se përçarjet e SLS-së, në këtë kohë janë për marrjen e pushtetit në veri”, tha Vllasi. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›