E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie Shtylla, ndihmësi i Ina Ramës, viktimë e parë e ligjit për spiunët

>Presidenti Topi kalon në heshtje ligjin për dosjet. Miratohet në mungesë të dekretit
Prokurori i çështjes së Gërdecit, Zamir Shtylla, i ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme, kryeprokurores Ina Rama. Prokurori i çështjes së Gërdecit dorëhiqet në ditën që ligji i dosjeve hyri në fuqi, duke u bërë "viktima e parë e këtij ligji. Zamir Shtylla është një nga prokurorët e sulmuar drejtpërdrejtë nga kryeministri Sali Berisha si persekutor në regjimin komunist. Lajmi për dorëheqjen e prokurorit Shtylla është konfirmuar nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës të cilët pohojnë dorëheqjen e prokurorit më të goditur dhe më të akuzuar nga politika dhe nga vetë Kryeministri i vendit. Mësohet se kërkesa për dorëheqje i është paraqitur Kryeprokurores, Ina Rama, pak përpara përfundimit të orarit zyrtar të punës dhe pak para përfundimit të afatit për hyrjen në fuqi të ligjit të dosjeve. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka konfirmuar mbrëmë se drejtori i hetimeve në institucionin që ajo drejton, i ka paraqitur një letër dorëheqjeje, nga detyra drejtuese që mbante. Në letrën që ka nënshkruar dje dhe ia ka dërguar kryeprokurores Ina Rama, tregon kërkesat që ka ndaj saj. Jap dorëheqjen dhe kërkoj që kjo dorëheqje të kihet parasysh nga ana juaj, si drejtor i Drejtorisë së Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, kërkoj të pranoni largimin tim nga grupi i prokurorëve të ngjarjes së Gërdecit, e ndodhur më 15 mars 2008, - thuhet në letrën e Shtyllës. Konfirmohet se Shtylla nuk ka dhënë motivacion në letrën e firmosur prej tij, lidhur me shkaqet që e çuan në dorëheqje. Ndërsa lihet të kuptohet nga letra, se Shtylla mbetet prokuror i thjeshtë, pra largohet vetëm nga funksionet drejtuese. Vendimi i Shtyllës besohet se ka ardhur pas sulmeve që i kanë ardhur kohët e fundit dhe denoncime të disa ish-të përndjekurve që thanë se ai ka qenë ndër personat që ka keqtrajtuar shtresat rebele kundër regjimit diktatorial. Në fakt, dorëheqja e Shtyllës, i paraprin zbatimit të ligjit për Dosjet i cili pritet të hidhet në veprim gjatë javëve që vijojnë, pasi nuk u dekretua nga Presidenti dhe për rrjedhojë, mori fuqi ligjore. Zamir Shtylla, prokurori që kryesoi hetimet për tragjedinë e Gërdecit, u vu në shënjestër të Qeverisë. Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, pohojë se duhet të ndjekje penalisht pikërisht prokurorin që merret me hetimin e tragjedisë së Gërdecit, Zamir Shtyllën. Njeriu që kishte në dorë fatin e ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që po hetohet për tragjedinë e rëndë të 15 marsit në Gërdec, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm si dhe u gjymtuan qindra të tjerë, nuk duhet të merret më me çështjen. Bujar Nishani kërkoi procedim penal për Zamir Shtyllën, pasi ky i fundit, sipas ministrit, ka tentuar të marrë në pyetje shtetasin serbo-boshnjak Damir Fazliç. Bashkë me Zamir Shtyllën u kërkua edhe penalizmi i Elio Mazrekut, zv/prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Arsyeja e vetme sipas ministrit, që duhej të penalizoheshin prokurorët, është se këta të fundit kanë telefonuar shefin e policisë kufitare dhe i kanë kërkuar informacione për Damir Fazliç, dhe për ta informuar këtë të fundit se prokuroria kërkon ta pyesë.  Por historia ishte shumë e thjeshtë. Oficerët e policisë gjyqësore nuk po kontaktonin dot me shefin e Komisariatit të Rinasit, pasi ky ishte shumë i zënë me shoqërimin e Fazliç, për ti dhënë këtij të fundit fletëthirrjen e prokurorisë. Në këto kushte, drejtori i hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, ka kontaktuar në telefon shefin e policisë kufitare. Çdo gjë është bërë sipas ligjit, edhe kjo telefonatë. Pas akuzave të shumta që i janë bërë prokurorit Zamir Shtylla i nga kryeministri dhe personazhe të veçanta që sipas tij kanë qenë të sajuar nga grupime të veçanta, Shtylla ka bërë një reagim duke përgënjeshtruar të gjitha akuzat e hedhura ndaj tij. Prokurori fort i lakuar nga Kryeministri i vendit me rastin e ligjit të dosjeve, Zamir Shtylla, ose siç njihet ndryshe prokurori i Gërdecit, ka deklaruar se Berisha po e denigron për shkak të detyrës që mban aktualisht. Në një njoftim zyrtar për shtyp të nisur nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se Përpjekjet e bëra së fundmi, duke më atribuuar veprime që nuk janë kryer prej meje, i konsideroj abuzive, për të denigruar figurën time dhe presionin për shkak të detyrës zyrtare që aktualisht kryej.

********************************
Ligji i lustracionit hyn në fuqi

Presidenti Bamir Topi ka zgjedhur rrugën e heshtjes për miratimin e ligjit të dosjeve. Kreu i shtetit nuk e ka dekretuar ligjin që ngjalli shumë debate dhe u kundërshtua fort nga opozita dhe nga ndërkombëtarët e akredituar në Tiranë, por ligji, sipas Kushtetutës, nga sot hyn në fuqi. Topi vendosi të mos shprehet, pra të mos hedhë firmën mbi dekret duke lejuar kështu që ligji të hyjë në fuqi. Ligji i dosjeve i mbështetur vetëm nga të djathtët u shoqërua me polemika dhe kritika të forta të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar sipas të cilëve ai ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Ditët e fundit presidenti ka pritur në takim shoqatat e të përndjekurve të cilat i kanë kërkuar ta dekretojë ligjin, por ka pasur edhe kritika për lënin jashtë verifikimit disa kategorive të funksionarëve të kohës së diktaturës.

******************************************
Shtylla firmosi për imunitetin e dy ministrave

Emri i Zamir Shtyllës në qarqet e Prokurorisë së Përgjithshme lidhet edhe me dosje të tjera të rëndësishme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku për çdo veprim të dosjeve të rëndësishme i merrej mendimi. Shtylla është prokurori i cili kërkojë heqjen e imunitetit për dy ministra respektivisht për Fatmir Mediun dhe Lulzim Bashën. Këtu nuk përjashtohet firma e tij për dërgimin e dosjes ndaj ish-shikasve që rrëmbyen Remzi Hoxhën në vitin 1995. Të tjera çështje që lidhen me emrin e tij janë edhe organizatat kriminale të Aldo Bares dhe Lul Berishës, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda merrte udhëzime nga prokurori Zamir Shtylla. Madje, prokurori Shtylla ka urdhëruar edhe hetimin e dosjes "Fazliç". Të gjitha dosjet kanë siglimin e tij, pasi ne rang drejtuesish Zamir Shtylla konsiderohej si numri dy i Prokurorisë së Përgjithshme, tashmë pas Ina Ramës. Zamir Shtylla ra preh e sulmeve të ashpra politike. Kryeministri i Vendit për e akuzojë si xhelat, ndërkaq nga ana tjetër nëpërmjet Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishanit, kërkojë ndjekje penale për të pasi ai urdhërojë në telefon lajmërimin për të marrë në pyetje mikun e tij tashmë të deklaruar edhe prej tij Damir Fazlliç.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›