E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Ramës çon Tiranën në zgjedhje të parakohshme

>Sipas ligjit, nëse nuk votohet buxheti brenda tre muajve, shpërndahet këshilli, shpallen zgjedhjet. Meta paralajmëron: "Të reflektojë Rama, ose buxheti do votohet nga populli"
Tre parashikime hipotetike mund të bëhen rreth situatës në Këshillin Bashkiak të Tiranës: Ose Edi Rama do të bëjë marrëveshje me Metën, ose këshilli do të shpërndahet dhe do të kemi zgjedhje të parakohshme në kryeqytet, ose Edi Rama do të japë dorëheqje.  Sipas Ligjit Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore, në qoftë se brenda tre muajve nuk miratohet buxheti, atëherë Këshilli i Ministrave shpërndan këshillin dhe shpall zgjedhjet e parakohshme për qytetin apo komunën. Këto parashikime vlejnë kur palët qëndrojnë parimisht në pozicionet e tyre të deklaruara tashmë. Në rastin e parë Ilir Meta do të kënaqej që PS të ulej dhe të dorëzonte një anëtar të KQZ për LSI-në, në rastin e dytë Berisha do të ishte i kënaqur që të testonte rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme në qytetin e Tiranës. Rast tipik ishte zgjedhja e parakohshme Kryetarit të Komunës së Kasharit, ku PS doli parti e katërt. Nëse PS do të pësojë disfatë në këtë zgjedhje, ndikimi do të jetë shkatërrues për zgjedhjet e përgjithshme 2009. Berisha dëshiron dorëheqjen e Ramës, këtë ai e deklaroi dje në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Duke iu referuar mosvotimit të buxhetit të bashkisë së Tiranës në Këshillin Bashkiak, Kryeministri Berisha u shpreh: Po të më ishte rrëzuar buxheti, do të kisha dhënë dorëheqjen. Nuk di në planet një buxhetrrëzuar që nuk gjen përgjegjësinë qytetare të japë dorëheqjen, përveç njërit.  Unë vetë do të kisha dhënë dorëheqjen. Gjithësesi, edhe nëse Këshilli I Ministrave nuk do të ndërhyjë, Edi Rama do të humbë shumë se do të tregojë performancë të dobët para qytetarëve në mungesë të parave të buxhetit.

Meta i vendosur kundër buxhetit  
Pas deklaratës së djeshme të këshilltarëve të LSI, Ilir Meta ka sqaruar pa ekuivok kundërshtimin e fortë të partisë së tij ndaj kryebashkiakut Rama. "Nuk dua të merrem me fletërrufetë e vjetra të këshilltarëve të PS, që i takojnë revolucionit kulturor, por dua tju them se përpara se të përdorin atë gjuhë tërë mllef dhe aq të vjetër ndaj Ilir Metës dhe LSI, ata duhet tu thonë qytetarëve të Tiranës se pse Kryetari i Bashkisë nuk merr pjesë në mbledhje ku diskutohet buxheti i bashkisë"-tha Meta. Qytetarët e Tiranës,vazhdoi ai,- nuk mund të pranojnë më që një rrugë të paguhet tre herë nga bashkia e Tiranës dhe përsëri të prishet. Ata nuk mund të pranojnë që një shkollë të paguhet dy herë me taksat e tyre nga bashkia e Tiranës dhe tavani i saj përsëri të bjerë dhe të zërë fëmijët e Tiranës. Më tej Meta ka paralajmëruar edhe pasojat e këtij konflikti në bashkinë e Tiranës. "Në rast se mungon vullneti dhe reflektimi për propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve tanë, që buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirëpërdorim në funksion të komunitetit, atëherë nuk do të jetë faji ynë që për këtë buxhet do ti duhet të shprehen qytetarët e Tiranës me votim"-tha ai. "Shpresova se do të dëgjoja ndonjë argument të këshilltarëve të Partisë Socialiste se për çfarë ata nuk ishin dakord me propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, propozime të cilat i kanë të zyrtarizuara prej gati një muaji. Dhe, po kështu, unë dua tju them këtyre këshilltarëve se qytetarët e Tiranës nuk i besojnë më përrallat me modelin e suksesshëm që i bën buxhetet në funksion të karteleve dhe jo të qytetarëve"-tha Meta. "Nuk e kuptoj pse i tremb transparenca këta këshilltarë apo dhe vetë Kryetarin e bashkisë. Nuk e kuptoj pse nuk pranojnë asnjë debat televiziv me përfaqësuesit dhe këshilltarët e LSI, në mënyrë që tja lënë qytetarëve të gjykojnë lidhur me transparencën dhe me atë çka përfaqëson ky buxhet për qytetarët e Tiranës"-tha Meta, i cili kërkon tashmë një përballje publike me Ramën, pas refuzimit të tij për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve për Kodin Zgjedhor. Meta tha se Rama ka në xhep 6 milionë euro që kërkon t'i përdorë për fushatë. "Në rast se devocioni i këshilltarëve injorohet për shkak se kryetarët e bashkive kërkojnë të kenë një xhep më vete për fushatë elektorale prej 6 milion eurosh dhe nuk duan të japin asnjë llogari se ku do t'i shpenzojnë, ky nuk është një problem i këshilltarëve të LSI. Përkundrazi, është detyra jonë dhe e çdo të zgjedhuri të mbrojë edhe qindarkën e fundit të taksave që paguan dhe qytetari"-tha Meta. Përsa i përket bashkëpunimit me Partinë Socialiste, ai tha se janë konsumuar të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Në rast se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak nuk do të sigurohen dot votat e duhura për miratimin e tij meta tha se do të ketë zgjedhje. "Në rast se mungon vullneti dhe reflektimi për propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve tanë, që buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirëpërdorim në funksion të komunitetit, atëherë nuk do të jetë faji ynë që për këtë buxhet do ti duhet të shprehen qytetarët e Tiranës me votim"-deklaroi Meta.

*****************************
Ja çfarë parashikon ligji

Neni 38

Shpërndarja e parakohshme e këshillit komunal ose bashkiak

1. Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të
Ministrave kur:
a) nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore;
b) nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e
përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji;
c) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve.
2. Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet edhe kur bëhet riorganizim me ndryshim
kufijsh, sipas nenit 70 të këtij ligji.
3. Në rast të lënies në fuqi të vendimit të shpërndarjes nga organi kompetent, në komunën
ose bashkinë përkatëse organizohen zgjedhjet për këshillin, në përputhje me Kodin
Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Neni 42
Shkarkimi i kryetarit të komunës ose bashkisë
Kryetari i komunës ose bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në
rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës për mosparaqitje
në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›