E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie akuza e skemave piramidale, arrest shtëpie për biznesmenët

 

Gjykata e Korçës vendosi dje që Jani Lluka dhe Ilia Nikolla të lënë qelitë dhe të qëndrojnë në arrest shtëpie

Biznesmenët u prangosën pas denoncimeve të huadhënësve në shuma të mëdha. Prokurori nuk argumentoi nxitjen e skemave

KORÇË- Lënë qelitë e paraburgimit dy biznesmenët korçarë, të akuzuar për rikthim të skemave piramidale, ndërsa prokuroria e juglindjes duket ka dështuar me hetimin e saj për akuzën ndaj tyre. Dje, Gjykata e Korçës ka vendosur arrest shtëpie për dy biznesmenët korçarë të akuzuar për ringritje të skemave piramidale.

***

Ilia Nikolla dhe Jani Lluka gjatë seancës së zhvilluar dje, kanë marrë vendimin për ndryshimin e masës së arrestit, nga 1 muaj burg të konsumuar tashmë, me arrest shtëpie.

Mbi ta rëndon akuza e ngritjes së skemave piramidale, që në fakt nuk është munduar të provohej. Çështjen e kishte nën shqyrtim kryeprokurori i Korçës, Përparim Vukaj. Dje u bë me dije se dy biznesmenët të akuzuar në gjykatë dhe më pas në prokurori se kishin marrë borxhe në vlerën e rreth 2 milionë eurove, sipas vetë organit të akuzës, kanë borxh rreth 7 milionë lekë. Kështu një nga çështjet më të përfolura në Korçë duket se ka përfunduar vetëm në një flluskë sapuni, ndërkohë që dhe vetë organi i akuzës nuk ka mundur të sigurojë provat e pretenduar prej tij. Ringritja e skemave piramidale ka rezultuar të ishte vetëm një borxh që biznesmenët kanë marrë në formë huaje kundrejt interesave si shumë kolegë të tyre në qytet, ndonëse kanë pasur probleme me kreditorët, por për interesat e tyre, pasi në pjesën më të madhe ata kanë marrë huan dhe pretendonin për fitimin që nuk e kishin marrë të gjithë. Ndërkaq sipas Gjergji Gjokës, njëri prej avokatëve mbrojtës të dy të pandehurve, duke iu referuar Konventës së të Drejtave të Njeriut ka deklaruar se konventa e aprovuar dhe nga parlamenti shqiptar nuk mund të dënojë njeri me burg për borxhe. "Asnjë person nuk mund të ndëshkohet me burg për borxhe edhe kur nuk e ka respektuar kontratën",- tha ai. Historia e sipërmarrësve Nikolla dhe Lluka sipas dy avokatëve mbrojtës, Nevzat Tarrelli dhe Gjergji Gjoka, ka qenë një imazh i keq mediatik për të pandehurit për t'i dëmtuar ata dhe për t'i çuar drejt falimentimit.

***

Historia e dy biznesmenëve ka nisur rreth një muaj më parë pas akuzave të disa kreditorëve për dhënie huaje kundrejt interesave të larta mujore prej 4.5 për qind dhe mos shlyerje në kohë të këtyre borxheve. Në fakt, kreditori i parë që ka trokitur në gjykatën e juglindjes ka qenë Vasillaq Çerveni, i cili kishte dhënë një hua në shumën e 100 mijë dollarëve, ndaj interesit 4.5 për qind në muaj, për të cilat ka pretenduar se është mashtruar nga personat në fjalë. Pas kësaj padie në gjykatën e Korçës numri i tyre ka arritur në 12 të tilla, ndërkohë që dy biznesmenët pronarë të rrobaqepësisë "Inter Konfeksion" kishin nënshkruar kontrata të përbashkëta noteriale me palët për borxhet e marra. Më tej, në 3 mars të këtij viti pas kallëzimit penal në prokurori të 8 qytetarëve është bërë i mundur arrestimi i dy sipërmarrësve të konfeksioneve, për akuzat të cilat ata i kanë mohuar, duke pretenduar gjithashtu se njihnin borxhet e tyre të marra për të zgjeruar aktivitetin prodhues.

***

Pas arrestimit Jani Lluka dhe Ilia Nikolla kanë kërkuar lirimin e tyre për të vazhduar aktivitetin i cili është mbyllur edhe nga dega e tatim-taksave. Prokurori fillestar i kësaj çështjeje, Vukaj, në akuzën e tij ka akuzuar dy të pandehurit për ringjallje të skemave piramidale, akuzë e cila ka rënë fill pas 30 ditëve si e pa argumentuar juridikisht dhe për mungesë të provave. Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë me vetëm 30 ditë burg për dy të pandehurit, ndërkohë që i ka lënë po kaq kohë në dispozicion prokurorisë të sigurojë dokumentet dhe provat e duhura për akuzën e ringjalljes dhe nxitjes së skemave piramidale. Gjatë seancës së djeshme prokurori tashmë i ndryshuar i kësaj çështje Bardhi Lako, i cili ka zënë vendin e shefit të tij, nuk ka argumentuar nxitjen e skemave piramidale, fakt i cili i ka dhënë dorë trupit gjykues të kryesuar nga Vojsava Osmanaj të vendosë masën e sigurisë me arrest shtëpie për Llukën dhe Nikollën.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›