Vlorë, gjykata "burgos" krerët e Aleancës
Sadrit Danaj e Eneid Hamzai janë lënë nga gjykata në burg pa afat për një vepër penale pa rrezikshmëri shoqërore
Të arrestuarit e tjerë janë lënë në masa më të lehta sigurie si arrest shtëpie e detyrim paraqitjeje
VLORË- Gjykata e Vlorës ka ndjekur linjën e policisë lokale duke lënë në burg pa afat dy prej krerëve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Sadrit Danaj dhe Eneid Hamzai janë lënë sërish në burg dhe këtë herë për një kohë të papërcaktuar. Gjykata është treguar disi më "dorëlëshuar" dje duke lënë në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje aleancistët e tjerë.Në një seancë me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medieve, gjykata i ka trajtuar njerëzit që kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar sikur të ishin kriminelë të rrezikshëm dhe duhet të mbylleshin patjetër pas hekurave të qelisë. I vetmi që i ka shpëtuar vendimeve të gjykatës ka qenë Besnik Lulo, avokati i të cilit ka kërkuar që pezullohet seanca deri në ndryshimin e gjyqtarit të çështjes. Sipas avokatit Petraq Curri, gjyqtari Fuat Muka është i njëanshëm në vendimet e tij.
***
Paraditen e djeshme, Gjykata e rrethit Vlorë ka zhvilluar seancat për vlerësimin e masave të sigurisë për përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, të arrestuar sepse kanë zhvilluar një protestë. Gjyqtari Fuat Muka nuk ka preferuar që t'i thërrasë të gjashtë aleancistët në një seancë të vetme por i ka ndarë ata një nga një. Madje ai ka vendosur që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura në mënyrë që, në veçanti media, të mos ketë mundësi të shohë se çfarë bëhet brenda në seancë por as gjendjen e të arrestuarve të pesë ditëve më parë. Të gjashtë përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës akuzohen për bllokim të qarkullimit të automjeteve dhe organizim të tubimeve të paligjshme më datë 31 mars. Në materialet e depozituara nga policia dhe prokuroria lokale, aleancistët janë arrestuar në flagrancë mbrëmjen e 31 marsit por në vlerësimin e masës së sigurisë janë dërguar vetëm pesë ditë më pas.
***
Një nga një përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës kanë hyrë në sallën e gjyqit ku kanë dëgjuar pretendimet e policisë ndaj tyre. Të parët që janë njohur me vendimin e gjykatës kanë qenë Viktor Lagji dhe Alfons Bilali. Ata kanë marrë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje pranë oficerëve të policisë gjyqësore deri në përfundim të hetimeve ndaj tyre. Pas tyre ka ardhur radha e Viron Ferhatit. Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë arrest shtëpie. Ndërkohë Sadrit Danaj, nënkryetar i Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, dhe Eneid Hamzai, kryetar i studentëve që marrin pjesë në aleancë janë lënë në burg pa afat. Sipas vendimit të gjykatës, ata do të qendrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve ndaj tyre. Vendimet e gjykatës i kanë trajtuar përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës sikur të ishin persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore që duhet të mbahen me doemos në burg. Këto vendime vijnë në një kohë kur paraburgimi i Vlorës është tepër i mbipopulluar dhe të akuzuarit janë persona të njohur në të gjithë qytetin, të cilët nuk paraqesin asnjë lloj rrezikshmërie. Besnik Lula ka qenë i vetmi i cili nuk e ka marrë dje masën e sigurisë, për shkak se seanca në ngarkim të tij është pezulluar nga avokati i tij mbrojtës, Petraq Curri. Avokati ka kërkuar këtë pezullim dhe njëkohësisht ndryshim të gjyqtarit Muka, duke e cilësuar atë si të njëanshëm.
Aleanca: Do vazhdojmë protestat
VLORË- Gjatë kohës që zhvilloheshin seancat gjyqësore, ku të arrestuarit u futën një e nga një me avokatët e tyre mbrojtës, rreth 50 persona kanë protestuar përpara gjykatës, duke i kërkuar asaj drejtësinë dhe lirimin e aleancistëve të arrestuar. Ata kanë qenë aty për rreth katër orë, pasi seancat gjyqësore të atyre zgjatën relativisht shumë. Kjo për shkak se të arrestuarit janë thirrur përpara gjykatësit veç e veç e jo të gjithë njëherësh. Përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës janë shprehur të vendosur të vazhdojnë sërish protestat për vendimet e marra nga gjykata e Vlorës, por edhe arrestimet e padrejta e sulmet ndaj tyre. A.P
"Policia ka shkelur ligjin duke i mbajtur ata të izoluar mbi 72 orë kur kushtet e izolimit janë tejet çnjerëzore"
"Mjaft": Denoncon dhunën tek ndërkombëtarët
TIRANE- Dhunimit të të drejtave që po iu bëhen aktivistëve të Vlorës ka vendosur t'u thotë "mjaft" pikërisht lëvizja e njohur rinore "Mjaft". "Policia e Vlorës ka shkelur të gjitha ligjet e shtetit duke tejkaluar kompetencat e saj gjatë arrestimit, dhunimit dhe mbajtjes në mënyrë të parregullt në qeli të aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirit të Vlorës" ka deklaruar ndër të tjera Denisa Shehaj, koordinatore e Monitorimit të Parlamentit pranë kësaj lëvizjeje. Policia ka shkelur ligjin duke i mbajtur ata të izoluar mbi 72 orë kur kushtet e izolimit janë tejet çnjerëzore, ndonëse asnjëri nuk paraqet rrezikshmëri. Ata mbahen në një ambient të pa ajrosur, të pistë dhe jashtë çdo norme që siguron dinjiteti njerëzor. Si në asnjë vend tjetër është penguar avokatiligjor që të takohet apo të kontaktojë me aktivistët e aleancës të arrestuar, madje në mënyrë absurde është ndaluar edhe kontakti me familjarët, duke iu mohuar edhe mundësinë e dërgimit të ushqimeve. Fakti se zëri i njeriut nuk dëgjohet nga asnjë strukturë shtetërore në Shqipëri, as kur cenohet liria e të shprehurit, as kur shkelet ligji, as kur ka trajtime çnjerëzore, lëvizja Mjaft,duke ndjekur hap pas hapi të gjitha procedurat e përdorura nga Policia e Vlorës, ka përgatitur një dosje të plotë me të gjitha shkeljet dhe do t'ia paraqesë këtë të gjitha përfaqësive diplomatike të huaja në Shqipëri. Mjaft ka bërë takime intensive dje me ambasadore të huaj, me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, dukeinformuar ata për çfarë ka ndodhur. "Ju bëjmë të ditur se Policia e Vlorës dhe strukturat e shtetit në këtë vend kanë cenuar lirinë e të shprehurit duke arrestuarpërfaqësuesit e vetëm të të gjithë komunitetit të Vlorës që kundërshton ndërtimin e Petroliferës",- vazhdoi deklarata. Veç dhunimit psikologjik që u është bërë aktivistëve të Aleancës brenda në komisariat, policia shkeli edhe një herë të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante duke dhunuar fizikisht aktivistin Vasil Sholla i cili po protestonte paqësisht para komisariatit. Sipas deklaratës, policia ka gënjyer kur ka deklaruar se ata janë arrestuar në flagrancë sepse rezulton se ata janë ndaluar 2 orë pas protestës së tyre në një bar të Vlorës. Gjithashtu rezulton se arrestimi i 7 aktivistëve është bërë pa asnjë argumentim ligjor duke ndryshuar edhe akuzat disa herë sipas dëshirës, njëherë për bllokim rruge, njëherë për vandalizëm dhe herë tjetër për organizim tubimi të paligjshëm. Bazuar në verifikimet e bëra nga avokati i popullit rezulton se arrestimet janë bërë në mënyrë selektive, me paramendim nga shteti, i cili pretendon të jetë anëtar me të drejta të plota i NATO-s. Bledar Breçani