Leskovik, gjenden 10.9 kg hashash i braktisur
Dy transportuesit janë larguar duke lënë hashashin e paketuar e të presuar. Droga dyshohet se do dërgohej në Selanik
Kolonjë- Policia kufitare e Kolonjës ka sekuestruar hashash në dy çanta, në vijën kufitare Shqipëri-Greqi, në Leskovik. Ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme, në afërsi të pikës së kalimit të Tre Urave, kur rojet kufitare shqiptare kanë rënë në gjurmë të dy transportuesve të drogës. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se dy personat sapo janë ndjerë të rrezikuar nga arrestimi në flagrancë, kanë lënë çantat e tyre dhe janë larguar pa mundur të ndalohen nga policia. Të njëjtat burime, qëbëjnë me dije lajmin sqarojnë se në çantat e poseduesve të paidentifikuar është gjetur një sasi prej 10 kg e 90 gram hashash. "Hashashi ka qenë i presuar dhe i paketuar",- thonë burimet policore. Ai ka qenë i bërë gati në formë të tillë, i lehtë për t'u fshehur në terrenin e thyer malor dhe të rrethuar nga pemët e shumta. Ndërsa droga ka rënë në duart e policisë, ka nisur kërkimi i dy transportuesve të saj, që dyshohettë jenë banorë të zonës së Leskovikut. Ndërkaq, pas zbulimit të dy çantave sportive, kanë nisur kërkimetpërgjatë vijës kufitare, ndonëse dhe vetë malli do t'i nënshtrohet këqyrjes së ekspertëve. "Ekspertët do të zbulojnë nëse ka në çantë apo drogën e paketuar, shenja të gishtave të dy transportuesve të kësaj sasie, për të bërë të mundur pas kësaj identifikimin e tyre dhe vendosjen para përgjegjësisë",- thonë burimet policore të Kolonjës. Mësohet se në njërën prej çantave janë gjetur disa shenja nga të cilët mund të mbërrihet tek poseduesi i tyre. Droga dyshohet të ishte destinuar për në zonën e Selanikut, ndërsa hetimet vazhdojnë, megjithëse zbulimi i autorëve është i vështirë në këto kushte. Pas ngjarjes, policia kufitare ka rritur dhe masat e sigurisë dhe kontrollet përgjatë vijës kufitare në rrethin e Kolonjës në zonën e Leksovikut, vetëm pak metra larg pikës së kalimit të Tre Urave.