E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie euro, shkak kthimi i emigrantëve

TIRANË- Euro fillon rënien në tregun tonë të këmbimit. Pas niveleve rekord të 142 lekëve, monedha e përbashkët europiane ka humbur ndjeshëm pikë, një dukuri që përsëritet cdo vit në këtë periudhë. Kjo ndodh si pasojë e kthimit të emigrantëve për pushime në atdhe, por edhe ecurisë së bursave ndërkombëtare. Në agjencitë e këmbimit, dollari blihet me 98,5 lekë dhe shitet me 92,2 lekë, ndërsa euro këmbehet me 138,8 lekë në blerje dhe me 139,4 lekë në shitje. Agjentët valutorë shpjegojnë se flukset e shkëmbimeve janë shtuar edhe pse në shuma të vogla.

Emigrantët kanë rritur ofertën për valutë, duke shkaktuar kështu edhe rënien e euros. Por nga ana tjetër edhe bursat kanë dobësuar forcimin e monedhës europiane. Në tregjet financiare botërore, euro ka humbur pikë duke u këmbyer me një dollar e 39 cent. Euro pritet të pësojë rënie deri në fund të gushtit, me përfundimin e sezonit veror. Gjithsesi vlen të theksohet se ajo ruan nivele më të larta se në të njëjtat periudha të viteve të mëparshme, gjë që lidhet me sasinë më të paktë të valutës që kanë sjellë emigrantët. Dobësimi i euros është një lajm i mirë për të gjithë klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi ata nuk do të rëndohen nga kostot e transaksionit. Nga ana tjetër një euro më e dobët i bën më të lira importet, c’ka pritet të shoqërohet me rënie të cmimeve në treg. Ata që preken nga dobësimi i monedhës së euro zonës janë eksportuesit, pasi norma e fitimit të tyre do të ulet.

E favorshme kjo periudhë është edhe për buxhetin e shtetit, pasi qeveria do të paguajë më pak për shlyerjen e interesave të borxhit të marrë në euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›