E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, pritet të miratohet ngritja e Parlamentit të ri

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë sot në seancë plenare p/ligjin "Për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë", që i hap rrugën procedurave të mëtejshme për përfundimin e këtij projekti në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit.

P/ligji, nismë e 38 deputetëve të Partisë Demokratike, parashikon që Kuvendi të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ndjekë hapat e tjerë në zbatimin e këtij projekti.
P/ligji, që pritet të shqyrtohet pa praninë e deputetëve të opozitës, parashikon që për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTSH).
Vendimi për ngritjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë është kundërshtuar dhe nga bashkia e Tiranës, e cila e ankimoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Por, kjo e fundit, në një seancë në muajin qershor, rrëzoi pretendimin e Bashkisë së Tiranës për pezullim të vendimit të Kuvendit, të miratuar më 21 tetor 2010 "Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar".

Ndërkohë, më 24 mars, një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›