E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama sulme të pabaza ndaj Kolegjit

TIRANE- Sot gjatë seancës plenare, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka nisur një seri shpifjesh e akuzash ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ndërsa shtoi se gjyqtarët nuk mund t’i jepnin atij të drejta që nuk i ka. Ishin qytetarët ata që e larguan nga Bashkia e Tiranës, tha Topalli.

“Antiparlamentarët e opozitës kanë filluar sulme ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor duke arritur në halucinacion, duke akuzuar këto gjyqtarë, duke akuzuar drejtësinë se ato kanë marrë miliona euro. Shpifjet dhe trillimet e tij janë e kundërta e së vërtetës dhe të fakteve. E vërteta dhe faktet treguan se shqiptarët dhe qytetarët e Tiranës e përzunë zotin Rama nga Bashkia, e përzunë me vullnet të lirë, në një proces transparent, në një nga proceset më kompetitive, ku vullneti i shqiptarëve u përcaktua qartë. Ai harron dicka se janë këto gjykatë që i kanë dhënë të drejtë kur kanë pasur të drejtë, ashtu si kur nuk ka të drejtë ata do zbatojnë ligjin”, tha Topalli.

Kryeparlamentarja nuk nguroi të lëshonte një apel edhe për deputetët e opozitës, të cilëve iu kërkoi t’i rikthehen jetës parlamentare për të përfaqësuar popullin e majtë dhe për të bashkëpunuar me mazhorancën.

"Javën e ardhshme kemi seancën e fundit të Parlamentit. Si kolegë, deputetët i ftoj që të vijnë në Kuvend, të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese duke përfaqësuar votuesit e majtë. I ftoj që të vijnë dhe të votojnë sepse është një vendim i Gjykatës Kushtetuese. I ftoj që t’i bashkohen mazhorancës, në reformat që ka ndërmarrë për të arritur objektovat e mëdha kombëtare", deklaroi Kryetarja e Kuvendit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›