E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie furgoni në lumë, zhduken 4 djem të rinj

01/03/2010 Ngjarja dje në të gdhirë, në vendngjarje gjendet një litar. Të afërmit shpresojnë

GRAMSH- Katër persona rezultojnë të zhdukur, pasi mjeti me të cilin udhëtonin ka rënë nga një lartësi dhjetëra në ujërat e lumit Devoll. Ngjarja e rëndë është konstatuar në orët e para të mëngjesit, por dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Gramsh-Korçë në vendin e quajtur Molla e Grabovës në kufirin me prefekturën e Korçës.

Aksidenti

Katër djem nga fshati Bratilë i komunës Kodovjat kanë qenë duke udhëtuar me një kamion të ngarkuar me ushqim bagëtish dhe mallra të tjera. Lirian Balla, 38 vjeç, Petrit Ahmeti, 20 vjeç, Behar Senkollari,18 vjeç dhe Elis Sogani 32 vjeç konsiderohen të zhdukur, pasi mjeti ka dalë nga rruga e ka përfunduar në ujërat e lumit Devoll rreth mbrëmjes, por vetëm dje në mëngjes kalimtarë të rastësishëm në rrugë kanë parë kamionin në ujë dhe kanë lajmëruar policinë. Pronari i mjetit Fatos Shkira që ia kishte dhënë kamionin për të transportuar disa mallra drejt Moglicës në Korçë thotë se 4 djemtë kanë qëndruar në lokalin e fshatit deri rreth orës 17.00 dhe më pas janë nisur nga Bratila drejt Korçës. Dyshohet se djemtë kanë e kanë tejkaluar alkoolin gjë që mund të ketë ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Sipas pronarit të mjetit, telefoni i një prej djemve ka rënë deri rreth orës 04 të mëngjesit dhe pranë vendit të ngjarjes është gjetur edhe një litar. Familjarët shpresojnë që djemtë të kenë dalë nga uji dhe të jenë larguar. Gjithsesi versioni i tyre mbetet i pakonfirmuar derisa nuk ka asnjë shenjë jete të katër të rinjve. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shumë banorë të zonës, të cilët janë bërë pjesë e operacionit për kërkimin e të zhdukurve. Ndërkohë nga policia konfirmohet aktualisht se mjeti ka dalë nga rruga pasi drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin i ndikuar nga disa faktorë si terreni i vështirë, lagështira, por nuk përjashtohet edhe ndikimi i alkoolit.

Operacioni për gjetjen e trupave

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, zjarrfikëset, forcat e RENEA-s dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme. Për gjetjen e trupave janë angazhuar edhe banorë të zonës si dhe forca të ushtrisë. Gjatë gjithë ditës kanë vazhduar kërkimet përgjatë lumit Devoll dhe janë ndërprerë në mbrëmje për shkak të errësirës. Furgoni i mallrave është gjetur rreth 1 km larg vendit ku ka dalë nga rruga dhe mendohet se uji i rrëmbyeshëm e ka tërhequr deri aty. Edhe pse janë bërë kërkime, deri tani nuk ka asnjë shenjë për trupat e 4 të rinjve. Kjo i ka shtuar shpresat e familjarëve për shpëtimin e njërit prej djemve, por ekspertët thonë se për shkak të prurjeve uji mund t’i ketë tërhequr trupat të paktën 3 km. Megjithatë, kërkimet pritet të rikthehen të hënën në mëngjes ku forcat e RENEA-s do të zgjerojnë rrezen e kërkimit në ujë. Deri atëherë familjarët rrinë me shpresën se djemtë mund të kenë shpëtuar dhe të kenë dalë nga uji. Katër të rinjtë janë nisur me një mjet mallrash nga Bratila për në Moglicë nëpërmjet rrugës së vjetër ku do të çoni një sasi ushqimi për bagëtitë dhe mallra të tjera. Familjarët nuk kanë pasur më asnjë lajm prej tyre dhe të vetmen shenjë jete ka qenë një telefon celular që ka rënë deri në orën 4 të mëngjesit dhe më pas është fikur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›