Bie në pranga në Shkodër, shoferi që transportoi klandestinë për në Greqi
TIRANE – Arrestohet taksisti i klandestinëve, i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. I dyshuari akuzohet se dërgoi tri grupe klandestinësh nga Tirana, për në Përmet dhe Gjirokastër me qëllim kalimin e kufirit me Greqinë. Lek Frroku, 40 vjeç, nga fshati Vig i Shkodrës dhe banues në Durrës, është ndaluar nga oficerët e Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme. Ai akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për përfshirjen e tij në një rrjet të trafikimit dhe kontrabandimit të klandestinëve nga Shqipëria me destinacion Greqinë. Arrestimi është kryer të martën në mbrëmje, nga oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët e kanë ndaluar të kërkuarin në qytetin e Durrësit. Burime të policisë së kryeqytetit pohuan dje për gazetën “Panorama”, se 40-vjeçari Frroku akuzohet se me mjetin e tij ka transportuar në drejtim të kufirit shqiptaro- grek, më tepër se 25 persona, me një automjet në pronësi të tij. Transporti është kryer në kohë të ndryshme sipas porosive të marra dhe më pas i dorëzonte në një vend të caktuar në kufi. Persona të tretë që merreshin me kalimin e tyre në kufi e në drejtim të destinacionit përfundimtar, i merrnin në “dorëzim” dhe nisin kontrabandimin. Sipas burimeve, hetuesit kanë dokumentuar përfshirjen e tij në së paku tri episode, ku Frroku kishte mbledhur personat ndërsa më parë kishte lënë takimet me ta në telefon. d.b