“Të dënuarit në revoltë i lanë pa bukë”
Armand Bajrami
Revolta në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës ka filluar për shkak se të dënuarit nuk janë furnizuar me ushqim, ndërsa po mbahen në kushte krejtësisht të papërshtatshme. Ky fakt konfirmohet nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka kryer pak ditë më parë një inspektim të kushteve në ambientet e burgut të Fushë-Krujës. Pas evidentimit, Avokati i Popullit me anë të një shkrese zyrtare u ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, Drejtorit të IEVP-së Fushë-Krujë, Anton Frroku marrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e trajtimit së të dënuarve në Burgun e Fushë-Krujës.
Në rekomandimin që ia ka bërë me dijeni edhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, sqarohet se “Avokati i Popullit me dt. 03.10.2008 ora 10:00 është vënë në dijeni nëpërmjet disa telefonatave të të burgosurve dhe medias vizive se në Burgun e Fushe-Krujës nuk ishte shpërndarë vakti i mëngjesit për të dënuarit dhe situata ishte e tensionuar”. Kaq ka mjaftuar që prej këtij institucioni të urdhërohej inspektimi i menjëhershëm i ambienteve të tij. Pas takimeve të realizuara mes inspektorëve dhe të burgosurve është mësuar se atyre nuk u ishte dhënë vakti i mëngjesit, ishin mbajtur të izoluar nëpër dhoma, nuk u ishte lejuar takimi me familjaret si dhe nuk ishin kryer nxjerrja në ajrim. Pas inspektimit të kryer, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë konstatuar se megjithëse qelitë e burgut respektonin standardin e sipërfaqes, nuk kishin asnjë pajisje ventilimi, që të mundësonte një ajrim të dhomës gjatë kohës që ajo qëndronte e mbyllur. Gjithashtu, inspektorët vunë re se nëpër qeli kishte mungesë të konsiderueshme të ujit nga rrjeti. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit e kanë vlerësuar të drejtë pretendimin e të dënuarve për çmimet e larta që u ofrohen atyre në dyqanin pranë burgut, veçanërisht të kartave telefonike. Gjatë kontrollit ata evidentuan edhe faktin se në burg mungonte totalisht asistenca stomatologjike. Ndërsa një tjetër pretendim i të dënuarve ishte sipërfaqja e vogël e ambienteve të ajrimit të jashtëm dhe se në rast reshjesh shiu ato nuk mund të shfrytëzoheshin pasi ishin të pambuluara. “Avokati i Popullit konstaton se pretendimet e ngritura nga ana e të dënuarve të Burgut të Fushë-Krujës janë të drejta, prandaj nevojitet që të merren masa të menjëhershme për normalizimin e situatës së trajtimit të tyre”, pohohej në rekomandim.
Mangësitë në burg
1. Nëpër qeli nuk ka asnjë pajisje ventilimi, që të mundësojë një ajrim të dhomës gjatë kohës që ajo qëndron e mbyllur
2. Nëpër qeli kishte mungesë të konsiderueshme të ujit nga rrjeti.
3. Dyqani në afërsi të burgut ofron çmime të larta të ushqimeve dhe cilësi të ulet për të burgosurit.
4. Mungon totalisht asistenca mjekësore stomatologjike për të dënuarit
5. Sipërfaqe e vogël e ajrimit të jashtëm dhe e papërshtatshme në kohë të lagësht, pasi është e pambuluar.
Rebelimi i të dënuarve në burgje
Vënia në zbatim e një urdhri nga Drejtoria e burgjeve, i cili urdhëronte mbylljen e dyerve të qelive shkaktoi pakënaqësi dhe rebelim së të burgosurve të burgut të sigurisë së Lartë të Fushë-Krujës një javë më parë. Sipas të burgosurve, mbajtja mbyllur e derës së qelisë për më tepër se 20 orë shkaktonte probleme serioze te ajrimit të dhomës, çka ishte e padurueshme për ta. Fakti që në ambientet e këtij burgu vuanin dënimin emra të njohur angazhoi forca të shumta policie, të cilat bënë të mundur shmangien e precipitimit të situatës.