Mustafaj: Berisha po shpërfill zgjedhjet ne parti
TIRANË- Kandidati i vetëshpallur për PD-në e Tiranës, deputeti demokrat Besnik Mustafaj, rrëfen një pjesë të platformës së tij për degën e kryeqytetit, raportet aktuale me Berishën, si dhe gjendjen në të cilën ndodhen strukturat e partisë. Në një interviste për “Ora Neës”,Mustafaj shprehet pa dorashka se strukturat partiake nuk kanë funksionuar dhe se në PD ka mjaft dembelë. Mustafaj citon të parin Sekretarin e Përgjithshëm Ridvan Bode të cilin e cilëson një dembel të paparë në raport me partinë. Mustafaj ka bërë përgjegjës edhe kryetarin e partisë, Sali Berisha, i cili, sipas tij, po shpërfill zgjedhjet në parti. Deputeti demokrat komenton edhe deklaratën e kryeministrit të mbajtur pak ditë më parë, në rast se PD humb zgjedhjet. Për Mustafajin, deklarata e kryeministrit se do ta merrte ai faturën e humbjes së zgjedhjeve, nuk nënkupton gjë tjetër veçse largimin e Berishës nga lidershipi i partisë.
Strukturat
Rivitalizimi i strukturave ishte një nga preokupimet kryesore të kandidatit demokrat, Besnik Mustafaj gjatë intervistës së djeshme. Duke theksuar se prej kohësh në PD nuk kanë funksionuar strukturat e partisë, Mustafaj ka shigjetuar jo pak edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha për një shpërfillje nga ana e tij ndaj zgjedhjeve brendapartisë. “Unë shoh një indiferencë, një nënvlehtësim nga zoti Berisha dhe nga kryesia e PD-së për zgjedhjet në parti. Zgjedhjet në parti janë një moment shumë delikat dhe shumë kulmor në jetën politike të një partie”,- tha Mustafaj. Duke radhitur të gjitha aspektet kryesore që në thelb kanë të bëjnë me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe me fatin e vetë PD-së, Mustafaj citoi se, “i duket i pajustifikuar indiferenca dhe shpërfillja që tregon Berisha ndaj zgjedhjeve”
Dembelët e partisë
Deputeti demokrat ka sjelle dje ndër mend një shembull konkret, për të treguar se në Partinë Demokratike ka shumë dembelë, duke përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të partisë. “Herën e fundit u mblodh një kryesi e cila nuk bëri as detyrimin minimal që ka për ta bërë, nuk doli me një dokument të shkruar në formë konkluzionesh të cilat pastaj do t’iu kalojnë strukturave të tjera të partisë siç e kërkon statuti. U fol për ndryshime statuti dhe vetëm dëgjuam Sekretarin e Përgjithshëm për herë të parë pas tre vitesh, zotin Bode, e dëgjuam për herë të parë të flasë në emër të partisë, e palejueshme, një dembel i paparë në raport me partinë, i cili nuk mori as mundimin që të sistemonte debatet që janë bërë. Unë nuk kam qenë i thirrur në atë mbledhje, por nuk mori mundimin as t’i sistemonte në një faqe letër për ne të tjerët, anëtarët e PD-së, figurat drejtuese të strukturave të PD-së”, tha Mustafaj, duke shtuar se në PD ka jashtëzakonisht shumë dembela, pa dashur të citojë emra të tjerë. “Ka shumë, ka jashtëzakonisht shumë. Kur them shumë domethënë shkon shumë e gjatë lista”,- tha ai.
Raporti më Berishën
Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj sqaron se aktualisht ai ruan vetëm raporte institucionale me Berishën. Deputeti demokrat nuk mendon se duhet folur për pasardhësin e Berishës. Megjithatë, teksa i referohet një deklarate të kryeministrit Berisha se në rast se humb zgjedhjet e ardhshme, ai do të marrë përsipër edhe faturën e humbjes, Mustafaj shprehet se ky qëndrim nënkuptonte largimin e tij nga lidershipi i partisë. “Mua më duket se nuk ka ndonjë kontekst që ne na çon tek konkluzioni që ne duhet të mendojmë për zëvendësuesin e Berishës. Pra Berisha vetë ka bërë deklaratën për herë të fundit atë natë në debat televiziv ku ishit prezent, ka bërë deklaratën se nëse unë humb zgjedhjet, faturën e kam unë. Kjo nënkupton se humbja e zgjedhjeve vitin e ardhshëm do të ishte largim i Berishës nga lidershipi i Partisë Demokratike”,- tha ai.
Fushata
Kandidati demokrat për degën e PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj shprehet se fushatën e tij do ta bazojë në dy drejtime. “Po punoj në dy drejtime. E para, po i jap dorën e fundit platformës sime, me të cilën do të paraqitem përpara demokratëve të Tiranës dhe së dyti po kontaktoj për të ndërtuar atë staf që është i nevojshëm për një fushatë. Kur them po kontaktoj njerëz, kam parasysh një kategori të caktuar, që janë anëtarë të Partisë Demokratike, drejtues të strukturave. Pra po përgatitem shumë seriozisht sepse është një nga angazhimet e mia më serioze që unë kam marrë”, tha ai. Mustafaj shprehet se do ti shkoje deri në fund garës dhe se në rast humbjeje, ai do të vazhdojë të mbetet në strukturat e partisë.