E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimi i Hamdi Haklajt, Prokuroria apelon në Suedi

 

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ka apeluar vendimin e Gjykatës së Goteborgut në Suedi, e cila pak muaj më parë vendosi të mos ekstradojë në Shqipëri Hamdi Haklajn, personin e shumëkërkuar nga drejtësia. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një kërkesë shkresore në adresë të homologëve suedezë. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar nga Prokuroria homologe në Suedi që në emër të akuzës, të bëjë një padi në Gjykatën vendase të Shkallës së dytë ku të kërkojë prishjen e vendimit të Gjykatës së Goteborgut, e cila vendosi kundër ekstradimit të Hamdi Haklajt në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, kërkesa e palës shqiptarë ka mbërritur në Suedi por procesi gjyqësor që ka për qëllim ekstradimin e Hamdi Haklajt ende nuk ka filluar në Gjykatën e Shkallës së Dytë. Kjo e fundit është duke shqyrtuar çështjen para se të hapë procesin, në fund të të cilit pritet të marrë një vendim përfundimtar. Hamdi Haklaj i arrestuar nga policia në Suedi me kërkesë të zyrës së Interpol Tirana që e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, është në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës, për akuzën e vrasjes ndaj Ramë Hoxhës dhe mbesës së tij, Fatime Hoxha. Kjo ngjarje ka ndodhur më 10 qershor 2004 në vendin e quajtur “Qafa e Rumikut” në veri të vendit. Prokuroria e akuzon Hamdi Haklajn se në këtë ngjarje ka tentuar të vrasë shtetasit Rexhep Hoxha, Valmira Hoxha, Servete Hoxha, Zenel Hoxha, Nafie Hoxha dhe Adem Sadiku, pas mosmarrëveshjeve mes dy palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›