Ratifikimi i MSA-së, Gjermania jep mbështetjen
Kryeministri Berisha merr mbështetjen e Merkel për anëtarësimin në NATO dhe BE
TIRANË- Gjermania do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian brenda vitit 2008 dhe shumë shpejt Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky është premtimi që ka marrë kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të zhvilluar dje në Gjermani me Kancelaren Gjermane, Angela Merkel. Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjermani, u prit mesditën e djeshme nga Kancelarja gjermane znj. Angela Merkel.Sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë, Kancelarja Merkel u shpreh se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyera. Merkel shprehu gatishmërinë për të intensifikuar më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve, në të gjitha fushat. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të kryeministrisë, Kancelarja Merkel u interesua të dinte më tepër për problemet e korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe atë shëndetësor, duke shprehur në të njëjtën kohë përkrahjen e qeverisë gjermane në reformat e rëndësishme për të luftuar korrupsionin në këto dy sektorë jetikë si dhe gatishmërinë e Gjermanisë për të dhënë mbështetje në këto reforma. Kancelarja Merkel e siguroi Kryeministrin për angazhimin e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqipërinë në shumë fusha të rëndësishme, veçanërisht në fushën e ndërtimit, dhe infrastrukturave të rëndësishme si projekte në transmetimin e energjisë elektrike, në ujësjellësa, kanalizime, etj. Gjithashtu ajo i premtoi Kryeministrit Berisha se Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë në fushën e arsimit profesional. Nga ana e tij,Kryeministri i kërkoi Kancelares gjermane përkrahjen dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe qarkullimin e lirë të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian.