“Studentët futën në treg 15 mijë euro false, që nuk zbulohen nga kontrolli”
TIRANE - Cilësia e kartëmonedhës së eurove false që hidheshin në treg nga grupi i personave të arrestuar së fundi nga policia e Tiranës ka qenë e tillë saqë shumat false nuk dalloheshin nga makineritë e kontrollit të posaçëm. Një fakt i tillë është konfirmuar nga hetuesit e policisë së Tiranës, të cilët kanë bërë një provë në makinën e kontrollit duke kaluar aty një sasi të eurove false që janë kapur të martën gjatë aksionit të policisë. Një makineri e numërimit të kartëmonedhave, nuk ka arritur të kapë thuajse asnjë prej prerjeve 20 euroshe të bllokuara prej tyre. Hetuesve dhe specialistëve të policisë iu është dashur që të konsultohen me specialistë bankash, për të zbuluar defektet e kartëmonedhës së bllokuar prej tyre. Ata kanë krahasuar paratë e bllokuara me të njëjtin model prerjeje dhe kanë mundur të zbulojnë disa prej gabimeve të prodhuesve të këtyre kartëmonedhave false. Sipas burimeve të policisë me sy të lirë, por edhe me makineri ato nuk dalloheshin, përveç se në një pozicion të caktuar kundrejt dritës ultravjollcë. Në këtë pamje sipas hetuesve, dukej mungesa e disa prej elementëve të sigurisë lidhur me shiritat e padukshëm me sy të lirë. Ndërkaq policia pas veprimeve të kryera mbrëmjen e të martës, ka lënë të lirë Alban Bejën, një prej të shoqëruarve gjatë aksionit, i cili ka mundur t’i shpëtojë masës së arrestit në flagrancë. Por burime të policisë së kryeqytetit pohuan se ai do të hetohet në liri pasi mungojnë provat për ta mbajtur në arrest. Në lidhje me këtë hetim, policia e Tiranës ka shpallur në kërkim me urdhër të prokurorit edhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Ata janë të dyshuar si furnizues dhe të implikuar drejtpërdrejt në hedhjen në qarkullim të një sasie të konsiderueshme eurosh false që prej një viti. Sasia e dyshuar që mund të jetë hedhur në treg, mendohet se mund të kapë shifrën e afërsisht 15 mijë eurove. Paratë mendohet se kanë shërbyer për të bërë pagesa të ndryshme shkolle dhe blerje artikujsh në treg. Dyshimi kryesor i policisë është se paratë mund të kenë hyrë nga Maqedonia dhe më pas hidheshin në qarkullim në mënyrë të racionuar për të mos rënë në sy të policisë. Hetuesit kanë marrë në pyetje pesë të arrestuarit, ndërsa ata kanë pranuar implikimin e tyre në aktivitetin e hedhjes në treg të kartëmonedhave false, por kanë refuzuar të tregojnë burimin e tyre të paligjshme.