Bie nën tension, gjen vdekjen duke peshkuar babai i tre fëmijëve
LEZHË - Humb jetën duke peshkuar në kanalin e ujit babai i tre fëmijëve. Drejtoria e Qarkut të Lezhës bëri të ditur se një 45-vjeçar nga komuna e Bushatit, në Shkodër, teksa ishte duke peshkuar sot në anë të një kanali, vdiq menjëherë, sapo karemi ra në kontakt me një linjë tensioni. Ngjarja ndodhi dje në fshatin Kotërr të komunës Dajç rrethi Lezhë, në vendin e quajtur kanali i Gjadrit, ku gjeti vdekjen nga energjia elektrike shtetasi Milkjon Lukaj, 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Rranzë të komunës Bushat të rrethit Shkodër, person i martuar me tre fëmijë. Nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Itali, vdes shqiptari në një aksident automobilistik
Ravena – Një shqiptar ka humbur jetën në Ravena të Italisë si pasojë e një aksidenti automobilistik. Agjencitë italiane duke iu referuar raportit të policisë bëjnë të ditur se viktima quhet shqiptari Robert Muça i moshës 48 vjeç ndërsa kanë mbetur të plagosur 4 shtetas ukrainas. Muça ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip “Fiat” dhe në Ponte Nuovo në Ravena në momentin që ka marrë kthesën është përplasur me një mur. Shqiptari ka vdekur në vend, ndërsa 4 shtetasit ukrainas që udhëtonin me të, janë plagosur. Të katër të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
28 Prill 2009