E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, i rekrutuari me dhunë, në koma pas tentativës për “arratisje”



Vlorë – Një 18-vjeçar nga Kukësi po lufton me vdekjen, pas një aksidenti që pësoi dy ditë më parë gjatë tentativës për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak ku e kishin rekrutuar me forcë. Izmir Gjoka i cili ishte rekrutuar me prurjet e fundit në repartin e Bunavisë në Vlorë ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasi ka tentuar dezertimin duke u hedhur nga një mjet i rëndë të ushtrisë. Ai është kacavierë në pjesën e poshtme të mjetit, ndërsa pasi ka bërë vetëm pak metra në atë gjendje është hedhur duke u aksidentuar nga mjeti që ishte në ecje. Makina e ka shtypur në pjesën e kokës, duke i shkaktuar plagë të rënda 18-vjeçarit, i cili ende po lufton me jetën. Fillimisht ai u transportua menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, por mjekët treguan se gjendja shëndetësore e adoleshentin ka qenë mjaft e rëndë, si pasojë e plagëve të rënda të marra në kokë. Sipas mjekëve 18-vjeçari kishte pësuar çarje të kafkës dhe u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Izmir Gjoka nga Kukësi ishte pjesë e kontingjentit prej 120 rekrutësh, të cilët u morën me dhunë ditët e fundit për të plotësuar numrin e rekrutëve që do të kryenin shërbimin ushtarak të detyruar, dhe u soll rreth 4 ditë më parë në Bunavi, për kryerjen e stërvitjes bazë që bëhet në këtë repart, përpara shpërndarjes në pika e reparte të ndryshme të vendit. Adoleshenti ishte marrë dhunshëm, dhe nuk ka dëshiruar të kryejë shërbimin ushtarak të detyruar ndaj dhe tentoi dezertimin, duke përfunduar tragjikisht aventura e tij drejt “lirisë” me aksident të rëndë ku ai tashmë rrezikon dhe jetën. Drejtues të repartit të Bunavisë, në afërsi të të cilit ndodhi ngjarja, dhe drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin nuk kanë dhënë shpjegime për këtë rast, madje kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë atë. Mësohet se ata do ta çojnë për ndjekje penale 18-vjeçarin Gjoka, për veprën penale të dezertimit, nëse ai arrin ti shpëtoje vdekjes.

Vlorë, OSSH, ndëshkon 80 debitorë

VLORË - OSSH, ka ndëshkuar gjatë 10 ditëve të fundit, 80 konsumatorë familjarë dhe subjekte private, që rezultonin debitorë për periudha të ndryshme kohore. Burime zyrtare nga njësia e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për Vlorën, bënë të ditur për gazetën se, ndëshkimet ndaj konsumatorëve, u kryen në kuadrin e një aksioni disa ditor, gjatë të cilit u aplikuan sanksione financiare, ndërprerje të furnizimit me energji etj. Sipas burimeve, përmes këtyre veprimeve, synohet të rriten treguesit e arkëtimeve të energjisë së konsumuar, si dhe pakësimi i nivelit të humbjeve në rrjet. Grupet e posaçme të specialistëve, operojnë mbi bazën e një grafiku të caktuar, duke u përqendruar kryesisht në zonat periferike, ku edhe arkëtimet janë më problematike. Aksioni është pjesë e strategjisë së OSSH për Vlorën, ku po zbatohet një program i gjerë masash për përmirësimin e treguesve në furnizimin me energji elektrike dhe rritjen e arkëtimeve, ku përfshihen edhe ndërprerja e furnizimit dhe sanksione të tjera administrative. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, aktualisht ofrohet shërbim i pandërprerë për arkëtimet dhe sportelet funksionojnë edhe në fundjavë. Aksioni i nisur 10 ditë më parë, pritet të vazhdojë edhe në javën në vijim. Për një pjesë të debitorëve, më problematikë, nuk përjashtohen edhe sanksione të tjera ligjore, sikundër janë penalitetet në organet e drejtësisë. Në fund të 3 mujorit të parë të këtij viti, niveli i arkëtimeve në qytetin e Vlorës, e kaloi atë të 90 përqindëshit, ndërsa ai i humbjeve në rrjet, arriti në rreth 34 për qind.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›