Porto Romano, fillon përpunimi i anijeve me gaz të lëngshëm
DURRËS- Porto Romano, 7 km në veri të qytetit të Durrësit, ka nisur të shfrytëzohet si port i shkarkimit të gazit të lëngshëm dhe në muajt e ardhshëm në kalatën e tij do të nisë përpunimi i karburanteve. Investimi koncesionar prej 20 milion euro në këtë zonë do t’i hapë rrugë procesit të transferimit dhe largimit përfundimtar të depozitave të karburanteve nga porti detar i Durrësit, thanë për gazetën burime zyrtare nga kapiteneria e portit detar. Sipas tyre sistemi i përpunimit të gazit të lëngshëm është provuar disa ditë më parë, kur në kalatën e portit të ri në Porto Romano, brenda disa orësh, nga anija “Sea Gas General” u shkarkuan rreth 2 mijë ton gaz i lëngshëm, porosi e grosistëve shqiptarë. Instalimi i tubacioneve nga kalata e portit të ri në Porto Romano deri në depozitat e gazit të lëngshëm, që janë ngritur kohët e fundit pranë kësaj zone, ka krijuar kushte për përpunimin normal të anijeve-cisternë që transportojnë këtë produkt. Burimet e kapitenerisë thanë se në Porto Romano po punohet për të shtruar tubacionet e karburanteve, që do të mundësojnë dhe përpunimin e anijeve me naftë dhe benzinë. Kompania koncesionare “Romano Port” që ka investuar deri tani rreth 20 milion euro, pas përfundimit të kalatës prej afro 1500 metra dhe sistemeve të sigurisë, ka nisur ndërtimin e barrierës së dallgëthyeset, që do të mbrojë portin e ri kryesisht nga jugu dhe jugperëndimi. Tashmë në territorin prej afro 50 ha në gjirin e Porto Romanos janë ndërtuar dy terminale me depozita të reja të karburanteve dhe gazit të lëngshëm, në të cilat do të depozitohen ngarkesat e anijeve të specializuara në këto lloj transportesh. Ndërtimi i portit të ri dhe i terminaleve të karburantit dhe gazit të lëngshëm i ka hapur rrugë ngritjes së një parku të madh energjetik, me sipërfaqe të përgjithshme prej afro 810 ha që parashikohet të ngrihet në territorin e Porto Romanos. Në zbatim të vendimit të Qeverisë Shqiptare kapiteneria e portit, drejtoria e doganave dhe policia portuale kanë marrë masa për t’i hapur rrugë transferimit të depozitave me karburante nga porti i Durrësit në drejtim të Porto Romanos, duke i dhënë fund përpunimit të tyre në portin më të madh të vendit.
28 Prill 2009