E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet false, Prokuroria çon në Gjykatë ish-drejtorin e minierës së Mushqetasë



TIRANË- Ish-drejtori i minierës së Mushqetasë në fshatin me të njëjtin emër parën Tiranës do të përballet në gjyq me akuzat e prokurorisë për abuzime me detyrën. Prokuroria ka përfunduar hetimet ndaj ish-drejtorit të Minierës së Qymyrgurit në fshatin Mushqeta të Tiranës, Ylli Shaba. Lajmi u bë i ditur dje nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat konfirmuan se, çështja penale në ngarkim të shtetasit Ylli Shaba, 49 vjeç nga Tiranë, iu dërgua për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Akuza
Ylli Shaba dyshohet se, ka abuzuar lidhur me pensionet e dhëna për persona që nuk kishin punuar në minierë, në periudhën kohore (2002- 2005) kur, ai mbante funksionin e drejtorit të minierës së Mushqetasë. Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Task-Forcën dhe Sektorin e Antikrimit Ekonomik arrestuan më 3 mars 2009 ish-drejtorin e Minierës së Mushqetasë në Tiranë, Ylli Shaba. 49-vjeçari, i cili gjatë viteve 2003-2005 ka qenë drejtor i minierës, ka rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal kundër Shabës, ndërkohë që gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg. Mësohet se gjatë periudhës në krye të minierës së Mushqetasë, Ylli Shaba ka lëshuar vërtetime për pensione false. Për Ylli Shabën ka filluar procedimin penal, pasi dyshohet për konsumim të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “mashtrimit” dhe të “falsifikimit të dokumenteve”.
Hetimet
Hetimet për këtë çështje, nisën në mars të vitit 2008 nga Prokuroria, pas kërkesës së policisë për procedimin e mbi 12 personave që dyshohet se përmes dokumenteve false, kanë përfituar pension të parakohshëm qysh në vitin 2000. Nën hetim gjithashtu janë edhe ish-punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Rreth 6 kategori mendohet se kanë abuzuar me pensionet. Inspektimet prej disa kohësh nëpër dosjet e përfituesve kanë dhënë dhe rezultatet e para, që i përkasin kryeqytetit. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, bëri publike gati një vit më parë dosjet me të cilat mendohet se kanë abuzuar qytetarë të ndryshëm, duke kryer një sërë shkeljesh. Prej më shumë se një viti, një nga prioritetet e ISSH-së ka qenë pastrimi i skemës nga përfitimet e padrejta. Gjatë verifikimeve janë konstatuar shkelje në dosjet e pensioneve në korrigjime të periudhave në regjistrat themeltarë (data, muaji, viti). Shumë qytetarë, për të përfituar pension, kanë dubluar periudhat e punës. Një kategori tjetër që mendohet se kanë abuzuar me përfitimin e pensioneve janë edhe ata persona që u është konstatuar mospërputhje të vërtetimit të ditëve të punës në kooperativat bujqësore të dorëzuara në dosje me regjistrat ekzistues, të dorëzuar më pas në arshivën e DRSSH-së Tiranë dhe së fundi është vënë re një mosekzistencë e emrit të përfituesit në indekset e ndërmarrjeve apo minierave.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›